Site icon PORTALB

Poposki: Ngjarjet në Kumanovë nuk janë të lidhura me krizën politike

Nikolla Poposki

Nikolla Poposki

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki i hedhë poshtë pohimet se konflikti i kohë më parshëm ndërmjet grupit të armatosur dhe policisë së Maqedonisë ka ndërlidhje me një nga krizat më serioze politike në vend. Në intervistën për agjencinë Asoshiejted pres, Poposki thekson se janë të dukshme frustrimet që u krijuan në shoqërinë e Maqedonisë për shkak të bllokadës për hyrje në BE dhe në NATO.

“Megjithatë, prania e grupit të armatosur në Kumanovë tregon se kufiri me Kosovën është i shkrifët”, deklaroi ministri Poposki. Sipas tij, Bashkimi Evropian është fajtor për qorr-sokakun në vend sepse e shtyn qasjen e saj në Union. Disa nga konkludimet që duhet të nxirren nga gjendja e tanishme, thotë ai, është se nëse nuk arrihet të sigurohet kredibiliteti i integrimeve euroatlantike në rajon, atëherë pasojat janë të dukshme.

Duke u përgjigjur në pyetje lidhur me aksionin policor në Kumanovë dhe gjendjen e sigurisë në vend, Poposki thotë se edhe në të kaluarën në këtë pjesë të botës ka pasur teori konspiracioni.

“Edhe më herët ka pasur teori konspiracioni në këtë pjesë të botës”, deklaroi Poposki lidhur me thëniet e disa politikanëve se të shtënat ishin vepër e atyre që dëshirojnë ta tërheqin vëmendjen nga kriza politike e shkaktuar nga rasti me përgjimet.

Poposki theksoi se policia me sukses është përballur me kërcënimin pa humbur jetë civilët.

“Por nga ana tjetër, u tregua se ka pjesë të kufirit tonë të cilat janë të ndjeshme, por gjithashtu edhe njerëz të cilët shfrytëzojnë këto mundësi për të përhapur terror dhe për ta destabilizuar vendin. Është fakt se po përballemi me situatë serioze, sipas të gjitha gjasave më serioze të sigurisë që nga shpallja e pavarësisë”, deklaroi Poposki.

Më me rëndësi për Maqedoninë, siç thotë, është të mos lejojë të përhapen çfarëdo lloj tensionimesh multietnike. Bashkëpunimi me autoritetet në Kosovë, prej nga erdhën grupi i armatosur, sipas Poposkit është shumë i hapur dhe i drejtpërdrejtë.

“Maqedonia duhet ta kahëzojë energjinë drejt zgjidhjes së krizës politike pa mundësuar terren për ndonjë grup radikal ta shfrytëzojë apo keqpërdorë gjendjen e pasigurisë”, deklaroi në intervistën për AP ministri Poposki.

 

Exit mobile version