Site icon PORTALB

Diplomati amerikan Charlie Wintermeyer mbajti ligjëratë në USHT

Charlie Wintermeyer

Charlie Wintermeyer

Në fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës u mbajt ligjëratë me temë “Përvoja e SHBA-ve me reformat në administratën shtetërore”,  nga diplomati amerikan me përvojë shumëvjeçare, z. Charlie Wintermeyer. Në takimin me studentët, ai u shpreh se ndjehet shumë i vlerësuar që ndodhet në Universitetin Shtetëror të Tetovës, për të mbajtur këtë ligjëratë para stafit akademik dhe studentëve të Fakultetit Juridik.

Në ligjëratën e tij, ai rëndësi të veçantë u kushtoi çështjeve të punësimit në administratën shtetërore dhe evoluimit të së njëjtës në SHBA.  Po ashtu u diskutua për Shërbimin Civil në SHBA dhe sistemet tjera të personelit të bazuara në merita, si dhe për disa nga rregullat që punonjësit e Qeverisë së SHBA-ve duhet të respektojnë në sistemet tona aktuale. “Të gjitha qeveritë në të gjitha nivelet duhet të vendosin se kush do të punojë për qeverinë. A do të punojnë përkrahësit e partisë fituese dhe pastaj ata të gjithë të ndërrohen pas çdo cikli zgjedhor, apo ata të cilët arrijnë rezultate më të mira gjatë konkurrimit dhe të vazhdojnë të punojnë nën më shumë qeveri. Këtu flitet për mësuesi, policët, rojet apo punonjësit nëpër zyra. Nuk flasim për ministra apo këshilltarë presidencialë”, tha z. Charlie Wintermeyer. Sipas tij, të gjitha sistemet e punonjësve të Qeverisë së SHBA-ve e ndajnë një Kod të veçantë të Etikës që e reflekton filozofinë se, “një zyrë publike është një besim publik”.

Njëherit, Charles Wintermeyer është zyrtar i Shërbimit të jashtëm të SHBA-ve, i cili për mëse 16 vjet ka shërbyer në Kigali – Ruandë, Rabat – Maroko, Kazabllankë – Maroko, Qalat – Afganistan, Washington DC, Lima – Peru, Kandahar – Afganistan, ndërsa tani është duke shërbyer si Zyrtar i Menaxhmentit për Ambasadën e SHBA-ve në Shkup. Ai është i specializuar në lëmin e së drejtës ushtarake.

Exit mobile version