Site icon PORTALB

Protestuesit : 17 maji do të jetë fillimi i fundit të ferrit pushtetar (FOTO)

Në mënyrë të qetë përfundoj edhe protesta e nëntë para Parlamentit, ku qytetarët edhe një herë shprehën pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe kërkuan dorëheqje jo vetëm të disa funksionarëve, por të gjithë qeverisë, si dhe përgjegjësi për krimet që publikohen në ‘bombat’ e opozitës, dhe ngjarjet e fundit që ndodhën në Kumanovë.

Sërish u paralajmërua që protestat do të zhvillohen edhe nesër, në të njëjtën kohë, në orën 18 para Qeverisë.

Gjithashtu u bë thirrje që me 17 maj të dalin të gjithë të protestojnë duke theksuar se 17 maji do të jetë fillimi i fundit të ferrit pushtetar.

20.00 Protestuesit arritën para Parlamentit ku edhe do të vazhdojë protesta deri në përfundimin e saj. Ata apelojnë për qetësi dhe protestë demokratike, me anë të së cilës “do të demaskojmë qeverinë në sytë e botës”, thonë qytetarët.

Gjithashtu ata bëjnë thirrje për të protestuar me datë 17, pasi që thonë se vetëm në këtë mënyrë do të mposhtet kjo qeveri e korruptuar.

19.40- Protestuesit nisen drejt Parlamentit ku thonë se aty do të zhvillohet protesta në vazhdim si dhe aty do të përfundojë. “Lironi të pafajshmit, mjaft keni kalbur në burg”, “Vodhët popullin për luks, zhdukuni”, thonë protestuesit.

19.20 Protestuesit arritën para Gjykatës Themelore. Ata thonë se duan shtet më të mirë, duan demokraci “Duaje Maqedoninë me dorëheqje” është porosia e tyre.

19.00 Qindra qytetarë u nisën drejt Gjykatës Themelore për të protestuar kundër akuzimit të studentëve të arrestuar gjatë protestave të mëhershme për prishje të rendit dhe për pengesë në punën e policisë.

Qytetarët filluan të mblidhen për të dhjetën radhë për të protestuar para qeverisë për të kërkuar kështu dorëheqjen e saj.

Sërish protestuesit vlerësojnë se politikanët e përfshirë në përgjimet të cilat i publikon opozita duhet të dorëhiqen si dhe të mbajnë përgjegjësi për krimet që kanë bërë.

 

Ashtu si edhe radhën e kaluar protestat do të fillojnë nga qeveria, edhe pse policia vazhdon të pengojë që ato të zhvillohen para qeverisë, më pas do të nisen drejt Gjykatës Themelore dhe më pas ato do të vazhdojnë para Parlamentit.

Exit mobile version