Site icon PORTALB

Ne nuk besojmë më!

Mirdita Ademi

Mirdita Ademi

E brengosur për gjendjen e shqiptarëve të mi po lexoj gjithçka në lidhje me ngjarjet e fundit që të kuptoj më mirë situatën. Hyj në mendime dhe krahasoj gjendjen me atë në 2001 kur unë dhe shumë fëmijë të tjerë ishim viktima dhe dëshmitar të atyre ditëve te përgjakshme që sot e kësaj dite kanë lënë gjurmë në mirëqenien time dhe të shumë fëmijëve tjerë.

Lexova letrën e një vajze shqiptare nga Shkupi që tregonte për bashkëjetesën dhe ditët e saj te bukura të fëmijërisë ne një mëhallë të banuar gati nga të gjithë nacionalitetet që jetojnë në Maqedoni dhe kryesisht relacionet e saj me maqedonasit dhe më bëhet qejfi që jo çdo fëmijë shqiptar ka të njëjtat trauma dhe përkujtime nga fëmijëria e vet.

Nuk më pëlqeu fakti që ajo kishte shkruar në gjuhën maqedonase (ndoshta e kishte bërë për shkak të arritjes së efektit) andaj unë përdor të drejtën time legjitime të përdor gjuhën shqipe si gjuhë amtare dhe si gjuhë zyrtare në qytetin e Tetovës, me më shumë se 20% shqiptar (që besoj e njëjta është edhe në Shkup).

Ja që unë në këto momente kur dikush tregon për momentet e bukura të fëmijërisë së vet unë kujtoj plumbat dhe helikopterët që fluturonin mbi kokat tona dhe kujtoj netët e tëra pa gjumë dhe frikën që edhe sot e kësaj dite  e kam të freskët. Mendoj dhe krahasoj fëmijët e Lagjes së Trimave me fëmijët e lagjes  time, si ndjehen vallë ato fëmijë?!

Në vendin e asaj vajzës së vogël të trishtuar që qarkullonte në  internet pash veten time por edhe më e trishtuar.Shtëpija ime është në Lagjen Drenovec, afër kazermës së qytetit, aty ku bëheshin luftime të zjarrta, e unë qaja e bërtisja sepse nuk doja që të largohem nga shtëpia ime sepse po shihja të gjithë duke ikur dhe frikohesha se ndoshta n. Sot e kësaj dite rrëqethem nga bubullimat e qiellit sepse më asocojnë në bombat që dëgjoja të krisnin shumë afër shtëpisë time derisa ne rinim nëpër podrume me shpresën se gjithçka do të mbaronte.

Të njëjtat përjetime i patën para disa ditësh edhe fëmijët e Lagjes së Trimave që jam e sigurt që gjatë kohë s’kanë për ti harruar. Ishin pak ato që pamë ne nëpër portale dhe edicione të lajmeve, jam e sigurt që gjendja e kumanovarëve  në ato ditë ishte shumë më tmerruese.

Më thoni, kush do i shëroj vallë ata fëmijë nga traumat që morën atë ditë?! Apo mos ndoshta Gruevski e Jankullovska që pa pikë konsiderate filluan luftimet para se të evakuojnë banorët?!  Atyre as që ua ndien për shqiptarët që humbën jetën pafajsisht dhe fëmijët e traumatizuar.

Luftërat kësi gjërash sjellin kudo, humbje të afërmish,  trauma, shtëpi të djegura por, sikur t’ia kishte vlejtur.S’ja ka vlejtur asnjë pikë gjaku që është derdhur si në 2001shin si sot në Kumanov. Nuk ja ka vlejtur sepse të gjitha këto u bënë për përfitime personale e ata që u dogjën ishin populli dhe njerëzit me qëllime të mira. E dëmi është përtej suazave t ë materiales, është në humbje të jetëve të njerëzve të pafajshëm dhe të gjithë asaj që kumanovarët kishin ndërtuar me mund për vite të tëra.

Lexova se dëmet materiale do të kompensoheshin por më tregoni si do ti kompensoni ato jetë të humbura të njerëzve të pafajshëm dhe me çka do ta kompensoni traumën e atyre fëmijëve të mjerë ?! Sheqerkat nuk bëjnë punë në këtë rast.

Jam e sigurt se shumë gjëra që ndodhën në Lagjen e Trimave ne edhe nuk i pamë, gjendja ka qenë shumë më e keqe dhe prekëse.

Ne, populli shqiptar, ndër më të vjetrit në Evropë, të udhëhequr shpesh nga njerëz të fëlliqur  kemi vuajtur dhe vazhdojmë të pësojmë nga kapricot dhe mendjelehtësia e udhëheqësve tanë.   Shqiptarët kanë parë shumë luftëra, njëherë nga pushtuesit e sot nga pushtetarët që ua besuam votën tonë.

Në luftën e  2001shit ne u përkrahëm me shpresën se gjendja e shqiptarëve do të përmirësohej por nuk ndodhi asnjë ndryshim dhe ne më nuk ju besojmë. Nuk jemi në gjendje të durojmë ende humbje jetësh të pafajshme, boll më.

Gëzohem që shqiptar e maqedonas jemi bërë bashk për ti thënë boll më diktaturws dhe dhunës ndaj shqiptarëve me arsyen për probleme ndëretnike, ne nuk kemi probleme bashkëjetese, kemi problem të balancimit të të drejtave për çdo qytetar të Maqedonisë.

Edhe po të ishte kjo ushtri ,tani, me qëllime të sinqerta dhe në favor të shqiptarëve ne nuk besojmë më.

Exit mobile version