Site icon PORTALB

Civil: Gruevski dhe Ahmeti të sqarojnë se çfarë po ndodh në Maqedoni

OJQ Civil

OJQ Civil

Qendra për liri “Civil” bën thirrje qytetarëve për qetësi dhe apelon të jenë racional lidhur me situatën e tensionuar në Kumanovë.

“Kërkojmë që MPB menjëherë të del me informacione oficiale dhe relevante lidhur me aksionin policor që po ndodh në Kumanovë, gjegjësisht të tregojë numrin e të lënduarve dhe viktimave në mesin e civilëve dhe policisë, me qellim që të ndërprenë spekulimet të cilat po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale. Në situata kur ambasada e SHBA-së shpreh ngushëllime për të vdekurit dhe mbështetje për të plagosurit, nuk është e lejueshme që MPB të plasojë informacione boshe”, thuhet në reagimin e “Civil”.

Sipas “Civil”, koha e aksionit të MPB-së dhe intensiteti i saj, ne kontekstin e plasimeve të spekulimeve, para aksionit dhe gjatë ditës së sotme, kanë hapur shumë pyetje, para se të gjithash në pasqyrën e krizës së thellë politike në vend.

“Vendi fqinj ka në dispozicion forca ushtarake në kufirin maqedonas, në Kumanovë ende dëgjohen krisma dhe të shtëna të mëdha, shtohen spekulime se një numër i madh i të lënduarve dhe viktimave janë civil dhe polic, shtohet frika dhe tensionet, kurse liderët e partive në pushtet, Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti, nuk janë askund”, thuhet në reagim.

“Civil” po ashtu komenton edhe deklaratën e BDI-së, me anë të së cilës kërkohet qetësi.

“Kjo parti për një kohë shumë të gjatë i shërben dhe mbron partnerin në koalicion, VMRO-në. Për këtë ata mbajnë përgjegjësi të madhe për (jo) veprimet lidhur me atë që po ndodh. Ahmeti dhe Gruevski menjëherë duhet të dalin para opinionit dhe të sqarojnë atë që po ndodh në Maqedoni”, thonë nga “Civil”.

 

Exit mobile version