Jonida Vokshi: S’bëj shoqëri me vajzat e televizionit, gocat bëjnë thashetheme

Me imazhin e saj jemi mësuar tashmë dhe për çudi, megjithëse e shohim shumë shpesh në ekran, nuk na mërzitet kurrë. Kjo, sepse Jonida Vokshi ia ka dalë ta ruajë atë të pastër e të paprekur… Në këtë intervistë të veçantë për “Summer Pages”, bukuroshja e “Digitalb” rrëfen verën e këtij viti, përditshmërinë, projektet e reja në televizion dhe sekretin që e ka bërë t’u qëndrojë larg thashethemeve.

Jonida, si ka qenë kjo verë për ty? 
Komplet ndryshe nga të tjerat, shumë e ngarkuar me punë, por që në këmbim më ka dhuruar një sadisfaksion të pamatë. Kjo ka qenë vera e parë kur unë nuk kam bërë pushime të gjata, për shkak se kam qenë e angazhuar me shumë projekte njëherësh. Kam realizuar reklamën e re të “Digitalb”, ndërkohë që kam qenë e angazhuar në programin “My accoustic summer”. Gjithsesi jam shumë e kënaqur, sepse kanë qenë dy realizime shumë të arrira.

Gjatë atyre ditëve që ke lëvizur, ku ke shkuar? 
Përveç katër ditëve të kaluara me familjen në Budva dhe një treditëshi të kaluar më tej në jug, kam shfrytëzuar pak edhe ato orët e pushimit, ndërsa regjistronim reklamën në Drimadhes, për të ‘vjedhur’ ndonjë rreze dielli (qesh).

Ndërkohë dimë që je rikthyer në punë; për çfarë po punon aktualisht? 
Po merrem me programin në “Digitalb”. Kemi menduar që këtë vit ta rikonceptojmë, ndoshta mund të sjellim edhe diçka komplet tjetër që nuk ka lidhje me ‘180 Gradë’. Jemi në fazën e konsultimit të ideve dhe nuk mund të them diçka konkrete, sidoqoftë e sigurt është që do të ketë ndryshime. 

Përveç programit të ri, çfarë do të sjellësh të re këtë shtator? 
Pritet që shumë shpejt të transmetohet në “Digitalb” një serial komik, i realizuar në Kosovë me aktorë nga të gjitha trevat shqipfolëse, Shqipëri-Kosovë-Maqedoni. Është bërë një përzgjedhje shumë e kujdesshme për të sjellë më të mirën e këtyre vendeve në një serial të vetëm. Ndërkaq mendoj se me fillimin e vjeshtës do të nisë edhe regjistrimi i serive të reja. Janë regjistruar 12 deri tani dhe besoj se shumë shpejt do të nisë puna për të tjera. Kam edhe disa plane të tjera në mendje, por janë ende plane. 
Çfarë trajton seriali? 
Seriali ka në fokus një shkollë private, me studentë që vijnë nga vende të ndryshme e që s’e kanë dhe aq të lehtë të kuptohen me njëri-tjetrin, me studentë që, megjithëse mund të vijnë nga familje të pasura, nuk janë edhe aq të përgatitur intelektualisht.

Ti, çfarë roli luan? 
Unë jam më e përkëdhelura e shkollës, që i bëj çorap të gjithë. Jam vajza e pronarit-drejtorit të shkollës; me pak fjalë, një nga ato që lutesh të mos e kesh në klasë (qesh).

Ke qenë kështu edhe në shkollë? 
Jo, jo. Unë?! Unë kam qenë më e urta e shkollës (qesh).

Ti vazhdon të angazhohesh si aktore në shumë prodhime, por ndërkohë si regjisore kur do të të shohim? 
Realizimi i një shfaqjeje nga unë si regjisore, mbetet në ato planet që kam dëshirë t’i realizoj, por që jam shumë e kushtëzuar nga mundësitë. Sepse për të realizuar një shfaqje duhet të kesh si fillim një pjesë të mirë, mbi të cilën të punosh pastaj. Jo se nuk kam pasur, por jam ende e pavendosur.

Ndërkohë jeta private e Jonidës si shkon?

Megjithëse e di që s’i ke shumë qejf thashethemet, të kemi parë shpesh pjesë të tyre… 
Unë në fakt nuk i kam fare qejf thashethemet, ndaj edhe përpiqem t’u qëndroj larg. Zgjedh vende shumë intime edhe kur dal me shoqërinë, sepse nuk dua që asgjë të keqinterpretohet apo keqgjykohet. Dua që jeta private të mbetet e imja, madje edhe kur dëgjoj thashetheme për veten përpiqem të mos u kthej përgjigje, se kështu do t’u jap rëndësi. E vetmja gjë që mund të them është se jam shumë e lumtur dhe e plotësuar shpirtërisht…

OK, s’po të ngacmoj më për këtë pikë, për të ndalur tek përditshmëria jote… Si janë ditët e Jonidës? 
Të gjitha të ndryshme nga njëra-tjetra. Në fakt është me faza… Ka periudha kur bëhen të gjitha gjërat bashkë dhe ti e ke të vështirë edhe të marrësh frymë, ndërkohë që ka periudha të tjera kur je më e lirë. Më vjen aq inat për këtë ndonjëherë, se ka ditë që i kaloj kot, pa kurrfarë angazhimi.

E frekuenton jetën e natës? 
Nuk e frekuentoj pothuajse fare jetën e natës, përveç ndonjë rasti të veçantë, ditëlindjeje, eventi. Nuk më pëlqen. E thashë, preferoj më shumë ambientet e qeta, darkat, me një rreth të ngushtë njerëzish.

Jonidë, si vajzë e bukur që je, a e ndjen atë ‘konkurrencën e keqe’ mes kolegeve në televizion… E ndjen veten të shënjestruar? 
Duhet të falenderoj Zotin për faktin se ambienti ku punoj ka një frymë shumë pozitive dhe për më tepër që njerëzit me të cilët ndaj momentet e punës, i kam kolegë prej vitesh. Për pasojë nuk është se e ndjej veten të sulmuar, plus që unë jam përpjekur gjithmonë të mos krijoj miqësi në ambiente pune. Shoqet e mia janë jashtë institucionit ku punoj, madje shpeshherë edhe jashtë profesionit, sepse po krijove shoqëri në punë dashje pa dashje do fillosh dhe vetë të merresh me thashetheme. Dhe siç do flasësh ti për të tjerët, ashtu edhe të tjerët do flasin për ty, ndaj unë kam preferuar të rri e tërhequr e të mos lahem në këto ujëra. (BW)

Lajme të ngjashme

Back to top button