Site icon PORTALB

Prokuroria ngre aktakuzë për rastin “Puç”, i akuzuar edhe Zoran Zaev

Zaev në Prokurori

Zaev në Prokurori

Prokuroria Publike ka ngritur aktakuzë kundër të gjithë të dyshuarve në rastin “Puçi”. Kreu i opozitës Zoran Zaev ngarkohet me veprën penale të “dhunës kundër përfaqësuesve më të lartë të shtetit”. I akuzuari i parë për rastin është Zoran Verushevski për tri vepra penale: Përgjim të paautorizuar, spiunazh si dhe dhunë ndaj përfaqësuesve më të lartë shtetërorë. Gruaja e Verushevskit akuzohet vetëm për spiunazh dhe personi i cili sipas prokurorisë ka qenë bashkëpunëtor i familjes në Strumicë, akuzohet vetëm për dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë shtetërorë. Operuesi i MPB-së me inicialet GJ.L. i cili është i dyshuari tjetër nga policia, tani është praktikisht i akuzuar i dytë. Prokuroria publike e ngarkon atë për spiunazh dhe veprën penale “përgjim të paautorizuar”.

Njëkohësisht me ngritjen e aktakuzës, nga Prokuroria Publike për ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, njoftuan se kanë kërkuar zgjatjen e paraburgimit të të gjithë të dyshuarve në rastin, për të cilët tashmë është caktuar masa.
Ndaj njoftimin e Prokurorisë publike me shkrim reagoi LSDM-ja. Nga partia opozitare thonë se nuk janë të befasuar nga vendimi, sepse edhe vetë kanë deklaruar nën çfarë kontrolli të qeverisë është i gjithë sistemi në vend. Sipas tyre vendimi për aktakuzën vjen direkt nga Mijallkovi dhe Gruevski.

“Ajo që Prokurori publik kërkoi nëpërmjet avokatëve të tij, që të dorëzohen pasaportat e të ndaluarve Sonja Verushevska dhe Branko Palifrov për të zëvendësuar masën e paraburgimit me një tjetër masë më të lehtë të sigurisë, por në fund u vendos për ngritjen e aktakuzës dhe zgjatjen e paraburgimit, konfirmon më tej se vendimi është marrë nga Jovan Ilievski, baxhanaku i Sasho Mijallkovit dhe Marko Zvrlevski, ekzekutuesi i drejtpërdrejtë i pushtetit të Nikolla Gruevskit.”, shkruante në reagimin e  LSDM-së.

Socialdemokratët rikujtojnë se vendimin për ngritjen e aktakuzës, Prokuroria e ka miratuar për vetëm 6 ditë nga gjithsej 30 që ka pasur për vendimmarrje. Madje, nga LSDM-ja thonë se tani presin që së shpejti të merret aktvendim edhe ndaj liderit të opozitës dhe personave të tjerë të cilët janë në paraburgim.

Exit mobile version