Site icon PORTALB

Popullsia e Ballkanit po plaket

Popullsia e vendeve të Ballkanit po plaket. Të dhënat demografike për vitin 2014 flasin për një rënie të numrit të popullsisë, një proces i dukshëm në shumë vende të gadishullit.

Sipas Instituteve të Statistikave në vende si Kroacia, Serbia dhe Bosnja Hercegovina, shifrat e lindjeve në dy vitet e fundit kanë qenë më të ulëta sesa shifrat e vdekjeve.

Instituti “DZS” në Kroaci thotë se shifrat për vitin 2014 tregojnë një rënie të shpejtë në madhësinë e popullatës, e cila aktualisht është 4.2 milionë banorë. Në vitin 2014, u regjistruan 39.596 lindje, rreth 2.7 për qind më pak se në vitin 2013. Për të njëjtën periudhë, u regjistruan 52.427 vdekje, rreth 1.4 për qind më tepër se në 2013-n.  Mosha mesatare në Kroaci është 42.1 vjeç, ndërsa 17.8 për qind e popullatës është 65 vjeç e sipër.

Plakja e popullsisë dhe niveli i ulët i lindjeve shkaktohet pjesërisht nga rënia ekonomike, por edhe nga largimi i shumë të rinjve nga vendi.  Mirëpo, kjo nuk është diçka tipike vetëm për Kroacinë.

Agjencia e statistikave në Bosnje dhe Hercegovinë, me një popullsi prej 3.8 milionë njerëzish, bëri të ditur se në vitin 2014, u regjistruan 29.247 lindje dhe 34.825 vdekje, që do të thotë se kemi një rritje negative me 0.11 për qind. Ndërkaq, Bosnja ka një popullsi pak më të re se Kroacia, me një moshë mesatare prej 40.8 vitesh.

Edhe vendet e tjera të Ballkanit kanë probleme edhe më të mëdha me depopullimin. Në Serbinë me një popullsi prej 7.1 milionë banorësh, në vitin 2013 nurmi i lindjeve ishte 65.554, ndërsa numri i vdekjeve, 100.300. Sipas statistikave, Serbia ka një rritje më negative të popullsisë, -0.48 për qind në vitin 2014. Mosha mesatare ëstë 41.9 vjeç, ndërsa 17.2 për qind e popullsisë është 65 vite e sipër.

Edhe Bullgaria, me 7.3 milionë banorë, regjistroi 68.083 lindje në vitin 2014 dhe 108.952 vdekje. Vendi shënoi një rritje negative të popullsisë me -0,83 për qind në vitin 2014. Mosha mesatare është 42.6 vjet, ndërsa 19.3 për qind e popullatës është mbi 65 vjeç./Shekulli

Exit mobile version