Site icon PORTALB

Bajrush Mjaku do të mbrohet në Aleksandri

Bajrush Mjaku

Bajrush Mjaku

Pas sukseseve të shumta të Teatrit të një aktori dhe Bajrush Mjakut në festivale të ndryshme në botë (Stokholm, Suedi; Ulanbator, Mongoli; Kishinjev, Moldavi dhe shumë të tjera) me shfaqjen “Mbrojtja e Sokratit”, pason prezantim në një nga qendrat botërore kulturore – Aleksandri, Egjipt. Në Aleksandri këtë vit prej datës 2 deri 7 Maj do të mbahet edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar të teatrit bashkëkohor në organizim të Bibliotekës të Aleksandrisë. Një nga qëllimet e festivalit është të promovohet shkëmbimi kulturor dhe lidhja mes pjesëmarrësve përmes pjesëmarrjes së shfaqjeve të ndryshme bashkëkohore nga e gjithë bota.
Në kërkesë të organizatorëve të festivalit dhe me ftesë të tyren, shfaqja “Mbrojtja e Sokratit” do të luhet më 6 Maj me fillim në ora 19 në skenën e vogël, kurse menjëherë pas shfaqjes do të luhet “Hamleti” nga Mbretëria e bashkuar. Tjerat shfaqje janë nga vende më të ndryshme të botës dhe atë: Bahrejn, Egjipt, Francë, Portugali, Irak, Tunizi, Serbi dhe Belgjikë. Prej kësaj mund të vërehet se përmes “Mbrojtjes së Sokratit” kultura teatrore e Maqedonisë prezantohet krah për krah me gjithë qendrat kulturore botërore duke mos ngecur aspak në kontekst të teatrit bashkëkohor.
Pjesëmarrja në këtë festival dhe prezantimi i Teatrit të një aktori, e njëkohësisht edhe të kulturës teatrore të Maqedonisë në një eveniment të këtillë të rëndësishëm teatror është mundësuar nga ana e Ministrisë për kulturë në RM dhe Komuna Çair.
Shfaqja “Mbrojtja e Sokratit” sipas tekstit të Platonit, në regji të Dritëro Kasapit dhe Dino Mustafq, premierën e vet e kishte më 22.02.2012. Në shfaqje krahas Bajrush Mjakut luajnë edhe  Besfort Idrizi dhe Ibrahim Xhemaili. Skenografia është e Krste Xhidrov, kurse kostumet të Bllagoja Micevski.
Exit mobile version