Site icon PORTALB

Komisioni për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë seancë për zhvillimet e fundit në Maqedoni

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

Komisioni për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë zhvilloi sot një seancë informuese me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, mbi situatën dhe zhvillimet e fundit në Republikën e Maqedonisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në mbledhje ishin sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë  Qirjako Qirko dhe zyrtarë të tjerë.

Sipas burimeve zyrtare nga Kuvendi i Shqipërisë, mësohet se kryetarja e komisionit për Politikën e Jashtme, Arta Dade, shprehu shqetësimin për faktin që komisioni prej kohësh ka dhënë aprovimin për ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë, emërim i cili nuk ka marrë dekretimin nga ana e Presidentit.

“Nuk i ndërhyj kompetencave që ka Presidenti i Republikës, por besoj që është urgjente që Republika e Shqipërisë të paraqitet në nivelin më të lartë të ambasadorit në prezencën tonë diplomatike në Ambasadën që kemi në Shkup, e cila ndoshta do të ndihmonte për një funksionim më të mirë në të gjitha parametrat, duke ditur që Ambasada jonë në Shkupka një rol për të luajtur jo vetëm me qeverinë e Republikës së Maqedonisë, por edhe me faktorin shqiptar atje”, – deklaroi Dade gjatë kësaj mbledhjeje.

Ndërsa Qirjako Qirko, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, tha se zhvillimet në Maqedoni kanë një vëmendje të veçantë nga ana e shërbimit të jashtëm jo vetëm për stabilitetin e Maqedonisë, por për të gjithë rajonin.

“Nga ana jonë janë ndjekur të gjitha zhvillimet dhe do të kontribuohet për rivendosjen e dialogut politik dhe të stabilitetit të këtij vendi” u shpreh  Qirko.

Pas prezantimit përfaqësuesit të Ministrisë së Punëve të Jashtme ju përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të Komisionit për Politikën e Jashtme.

Exit mobile version