Site icon PORTALB

Stemat shqiptare në koleksionin e stemave të Koreniq-Neoriqit nga viti 1595 (FOTO)

Lexo pjesën paraprake: Stemat shqiptare në burimet heraldike

Si thamë, koleksioni i parë i stemave, ekzemplari i të gjithë të tjerëve është humbur ose gjendet i pazbuluar në ndonjë bibliotekë ose arkiv. Koleksioni më i vjetër i stemave që është ruajtur është i ashtuquajturi Koreniq-Neoriq nga viti 1595, që ruhet në bibliotekën universitare të Zagrebit me signaturë R. 4084. Nuk dihet se kush ka qenë ky Koreniq-Neoriq; a ka qenë heraldist dubrovnikas që e ka kopjuar stemën nga protografi, ose ndonjë farefis i Ohmuçeviqit, apo ndoshta për të është punuar koleksioni i stemave që pastaj të marrë edhe emrin e tij. Solovjevi mendon se albumi e mban këtë emër për shkak se ka qenë pronë e ndonjë Koreniqi, nëna e të cilit ka qenë Neoriq.[1] Në fletën e gjashtë, që është faqe e titullit në koleksion, me germa cirilike shkruan “Koreniq-Neoriq”, e nën të gjendet shiriti me mbishkrim “Confido in Domino, non confundar in aeternum, amen”, nën shiritin kryq, e krejtësisht poshtë në kornizë ari shkruan “Corienich – Neorich ano Dni 1595”. Tërë koleksioni i stemave është shkruar me një dorëshkrim. Data e këtij koleksioni është e kontestueshme. Solovjevi konsideron se “sigurisht është punuar në vitin 1595”,[2] e Raçki thotë “Koleksioni I Koreniqit nuk është punuar para vitit 1593”,[3] kurse të gjithë shkencëtarët e pranojnë se në vitin 1595, përveç Stojan Novakoviqit që dyshon në saktësinë e vitit dhe Zagorka Janc e cila thotë “Mbetet vetëm impresioni i përgjithshëm i pikturimit dhe sipas ndryshimeve në të shkruarit e tekstit dorëshkrimi Koreniq-Neoriq nuk mund të krijohej në fund të shekullit XVI”,[4] që do të thotë se ajo këtë nuk mund ta vërtetojë, por e vlerëson sipas “impresionit të përgjithshëm”.

Kjo stemë ka format 2 X 14,5 cm. Ludevit Gaji e ka zbuluar në Dubrovnik dhe e ka sjellë në Zagreb ku gjendet edhe tani në fondin e tij.[5] Në literaturën shkencore këtë koleksion stemash i pari e përmend Prudentius Narentius në librin De regno Bosniae ejusque interitu naratiu historia. Venetiis 1781 në fq. 48. Pastaj Dr. Jukiqi në “Danica Ilirska” nr. 24 të vitit 1842 dhe VII. Klaiqi në “Obzor” IX (1879), e më vonë edhe shumë të tjerë.

Për shkak se prototipi ka qenë shkruar me cirilikë e me alfabetin latin, Koreniq-Neoriqi ka qenë shkruar po ashtu në këto dy alfabete, por duket se ai që e ka punuar këtë kopje nuk e ka ditur mirë cirilikën, prandaj ka bërë shumë gabime. Si mbishkrimet, ashtu edhe emrat e mbiemrat e familjeve fisnike janë shkruar në të dy alfabetet.

Në faqen e parë është mbishkrimi: “Rososlovlje navissenih i svetih otaca u vlastitih biljegova zemlja i svetlitih plemenja cezarstva ilirskoga, koe visakupi i naredno sostavi s velikom pomnon i opatju Stanislav Rubic, ban cimeria gospodina cara Stipana Stiepana Menjica na slavu cezarskoga i kraljevskoga velicanstva i ostale gospode poglavica, bana, voevoda, zupana, knezova, katunara, vitezova, vlastela i plemica svih zemalja ilirskieh, pod kim vlastitim vladaniem pribivaju razlike naredbe cezarstva ilirskoga. Ovo se slozi I prepisa iz jednoga libra veomi stara, koi se nadje medju starim knigama librarie mostirovi Svete Gore, reda slavnoga i divnoga Bazilia 1340”. Pastaj është përshkruar përsëri përmbajtja e njëjtë në latinishte. Nga ky shënim shihet se ky koleksion stemash është dashur të jetë gjenealogji e etërve të shenjtë dhe “shenja të vendeve e fiseve të shenjta” të Perandorisë ilire që i ka tubuar Stanislav Rupçiqi, drejtor i stemave të perandorit Dushan, e i ka kopjuar nga ndonjë libër shumë i vjetër që e ka gjetur në bibliotekën e Sveta Gorës në vitin 1340. Ne përmendëm më parë se ky shënim ka qenë i falsifikuar me qëllim që t’i jepet rëndësi e vjetërsi më e madhe koleksionit të stemave. Mirëpo, edhe pse shkenca e ka vërtetuar këtë, ekzistojnë edhe këto mendime: Kush mund të vërtetojë me saktësi se ai nuk ka pasur para vetes ndonjë koleksion të vjetër nga shekulli XIV, qoftë edhe me dhjetëra prej atyre stemave që i ka dhënë ai?[6]

Në koleksion rreshtohen stemat e Maqedonisë (fq. VI), të Bullgarisë (fq. XII), të Kastriotit (fq. XXIX), të Dukagjinit (fq XLII) dhe të tjerëve – gjithsej 152 stema. Si thamë, mbishkrimet janë me alfabetin cirilik dhe latin. Alfabeti cirilik është marrë që të vërtetojë vjetërsinë e koleksionit, e ai latin që të mundet secili spanjoll ose italian të lexojë se e kujt është stema, e kjo qe shumë e rëndësishme për admiralin Ohmuçeviq, i cili me anë të këtij koleksioni dëshironte të fitojë fisnikëri në Monarkinë spanjolle. Stemat janë paraqitur plot me ngjyra, e koleksioni në tërësi është punuar sipas shembullit të koleksionit të Virgilie Solies, viti 1555. Kjo shihet nga fakti se në koleksionin e stemave të Virgilie Soliesit gjenden stemat e Kroacisë, e Dalmacisë dhe e Bosnjës, e pikërisht ashtu si janë edhe te Koreniq-Neoriq.[7]

Koleksioni i stemave Koreniq-Neoriq ka pasur ndikim të madh në shekulli XVII në Kroaci e jashtë saj, sepse disa familje serbe, bosanase e shqiptare pretendonin fisnikërinë në bazë të këtyre stemave dhe kërkonin prej autoriteteve austriake, venedikase e dubrovnikase t’ua njohin fisnikërinë dhe t’u japin vërtetim për përtëritjen e stemës vjetër. Shumë persona morën vërtetime për fisnikëri në saje të këtij koleksioni të stemave.[8]

Në koleksion më së pari janë dhënë 11 stema territoriale, respektivisht shenja të vendeve e të fiseve të shenjta, e pastaj 140 stema familjare të vojvodëve, zhupanëve, princërve, katunarëve, kalorësve, fisnikëve të ndryshëm e të tjerë.

Në këtë koleksion stemash ka dy stema që u takojnë familjeve në zë feudale, Kastrioti e Dukagjini. Stema e Kastriotit gjendet në faqen XXIX dhe paraqet shqiponjë dykrerëshe të zezë (fig. 3) me fletë të hapura në fushë të artë të mburojës. Mbi krerët e shqiponjave gjendet trekëndëshi i kaltër e në të ylli i artë, gjashtëkëndësh me gur të çmuar në mes. Mbi mburojë gjendet helmeta me kryq si të kryqëzorëve ose të kalorësve evropianë nëpër turnirë. Nga të dyja anët e helmetës gjendet drapëria (pëlhurë) e rrudhur me ngjyrë të verdhë dhe të zezë, tuflat e së cilës lëshohen në të dyja anët e mburojës. Mbi helmetë gjendet kurora mbretërore, e në kurorë gjendet edhe një shqiponjë dykrerëshe me fletë të hapura. Mbi krerët e shqiponjave gjendet nga një kurorë e vogël. Nën stemë gjendet edhe një shirit në formë katërkëndëshi kënddrejtë, i stolisur bukur, ku shkruan : CASTRIOTTICH.

Stema e dytë i takon familjes Dukagjini (fig. 4). Në mburojë të artë gjendet shqiponja e zezë njëkrerëshe e me fletë të hapura dhe me bisht të gjatë e të gjerë. Në krye të shqiponjës gjendet një kurorë e vogël. Mbi mburojë gjendet helmeta e kaltër me kryq, e nga të dyja anët e helmetës gjendet drapëria e rrudhur prej brokatit të zi e të verdhë. Mbi helmetë gjendet kurora mbretërore pesëkëndëshe. Mbi kurorë gjendet një shqiponjë njëkrerëshe me fletë të hapura. Shqiponja ka ngjyrë të verdhë me rreth të kuq. Mbi kokën e shqiponjës gjendet edhe një kurorë e vogël, e në shiritin katërkëndësh që është nën stemë, shkruan: DVCAGINOVICH. Stema e Dukagjinit në koleksion gjendet në faqen XLII.

Stemat shqiptare në koleksionin e stemave të Koreniq-Neoriqit nga viti 1595

Figura 3.                                                                                                                           Figura 4.

Këtu duhet të theksoj se të dyja stemat e përmendura kanë mburojë në formë trekëndëshe ose varjaze. Mburojat në stemat e Kastriotit e të Dukagjinit janë pak të prera nga ana e majtë, që në heraldikë do të thotë se familjet janë dalluar si ushtarake.

(VAZHDON)

Aleksandër MATKOVSKI

Autoriteti i padiskutueshëm i historiografisë maqedonase dhe ballkanike, autori i monografisë së famshme “Dervish Cara”, akademik Aleksandar Matkovski, që flet për kryengritjen më të madhe të shqiptarëve kundër Perandorisë turke në fillim të shekullit njëzet, shkroi një libër për stemat shqiptare, të titulluar STEMAT SHQIPTARE NË TË KALUARËN. Vepra u botua si separat i revistës shkencore Gjurmime albanologjike 2, 1969, në Prishtinë. Ky hulumtim është interesant jo vetëm pse është i pari i këtij lloji (dhe edhe pas botimit të saj nuk kemi të dhëna të jetë marrë kush në historiografinë shqiptare me stemat), por edhe për stilin dhe seriozitetin shkencor me të cilin autori i qaset historisë shqiptare. Portali ynë do ta botojë veprën në disa vazhdime dhe besojmë se kështu do ta zgjojmë kureshtjen e lexuesve e veçanërisht të studiuesve edhe për punën e historianit të madh Aleksandar Matkovski, por edhe për lëndën e cila trajtohet në këtë vepër.


[1] Solovjev, Prinosi, 129.

[2] Solovjev, Postanak ilirske heraldike i porodica Ohmucevic, Glasnik srpskog naucnog drustva knj.XII, Skopje 1933. 94, 99, 104.

[3] Racki, Stari grb bosanski. Rad JAZU, XI, Zagreb, 1890, 18.

[4] Zagorka Janc, Nepoznati grobovi prodice Ohmucevica. Zbornik mezeja primenje umetnosti 8, Beograd 1962. 63.

[5] Novakoviq, vep. e cit. 84.

[6] Glasnik heraldike, viti II, nr. 3—4, fq. 4.

[7] Antoljak, vep. e cit. 279.

[8] Bartol Zmajic, legalizacija grbova nasih obitelji na temelju Ohmucevicevog grbovnika. Glasnik arhiva i drustva arhivskih radnika Bosne i Hercegovine VII, Sarajevo 1967, 41—53.

Exit mobile version