Ministri i Arsimit dhe Shkencës, m-r Abdilaqim Ademi sot mori pjesë në Panairin e karrierës në organizim të Qendrës së Karrierës në Universitetin e Evropës Juglindore. Ministri theksoi se këtë vit në Panair do të prezentohen më shumë se 30 kompani, përkatësishtë më shumë se 30 punëdhënës potencial, njerëz të cilët arsimimin e tyre e fitojnë në Universitetin e Shtulit.
„Të dhënat tregojnë se pothuajse 50 përqind e studentëve të këtij universiteti arrijnë të punësohen një vit pas diplomimit , kurse mbi 12 përqind arrijnë të punësohen edhe para se të marrin diplomën në dorë. Kjo do të thotë se në Universitetin e Evropës Juglindore shkollohen kuadro sipas plan programeve mësimore më bashkëkohore, të cilët janë të lidhura ngushtë me nevojat e Komunitetit të Biznesit.
Pikërishtë për këtë mund të them se kompanitë të cilat marrin pjesë në këtë Panair kanë bërë hapin e duhur. Do të prezentohen para kuadrit të lartë arsimor për të cilën gjë jam i bindur se shumë shpejtë do të jenë pjesë e ekipit të tyre” u shpreh Ademi .
Ministri Ademi shtoi se ndjen kënaqësi që merrë pjesë në evente ku ekziston një ndërlidhje e drejtëpërdrejtë në mes Komunitetit të biznesit dhe arsimit.
„ Një nga qëllimet e çdo vendi, dhe çdo Qeverie është rritja e punësimeve, sidomos punësimi i gjeneratave të reja , sepse ata janë forcë shtytëse e çdo shoqërie. Ata janë inxhinierë tanë, mjekë tanë, profesorë tanë, ata janë njerëz të cilët e ndërtojnë të ardhmen e vendit tonë. Panairi i Karrierës i Universitetit të Evropës Juglindore, ofron kontribut të madh për rrëfime të këtilla të suksesshme” tha Ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi.
Panairi i karrierës në Universitetin e Shtulit këtë vit mbahet për herë të dhjetë jubilar.