Site icon PORTALB

Universiteti shtetëror i Tetovës solidarizohet me viktimat në Keni

Universiteti Shtetëror i Tetovës  iu bashkua iniciativës së Asociacionit të Universiteteve Evropiane – EUA, për solidarizim me viktimat e sulmeve terroriste në Kolegjin Universitar Garisa në Keni, që ndodhi më 2 prill 2015, ku u vranë 147 studentë dhe u plagosën të paktën 79 të tjerë. Sot në mesditë, studentët dhe stafi akademik i Universitetit Shtetëror të Tetovës, në amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së mbajtën një minutë heshtje në nderim të viktimave të Kolegjit universitar Garisa të Kenisë.   Me këtë rast, para studentëve dhe profesorëve përgjegjësi i Zyrës për informim të USHT-së, z. Selam Sulejmani lexoi deklaratën e përbashkët të Asociacionit të Universiteteve Evropiane, me moton ,,T’i mbrojmë universitetet nga dhuna”. Ai tha se “pas sulmit terrorist që ndodhi në Kolegjin universitar Garisa në Kenia, të enjten, më 2 prill, ku u vranë 147 studentë dhe u plagosën të paktën 79 njerëz, Asociacioni i Universiteteve Evropiane i fton të gjitha universitetet evropiane të mbajnë një minutë heshtje, të hënën, më 27 prill 2015 (në orën 12: 00), në kujtim të gjithë atyre që u vranë dhe u prekën nga sulmi në Garisa dhe nga sulmet e tjera ndaj universiteteve dhe vlerave universitare nëpër botë. Përderisa ngjarjet në Garisa shquhen për barbaritë e tyre, ne tërheqim vëmendjen për realitetin e tmerrshëm ku sulmet vazhdojnë të ndodhin çdo ditë. Me këtë thirrje, për nderim të viktimave, EUA vërteton qëndrimin e saj se çdo akt dhune ose sulmi ndaj arsimit bie ndesh me vlerat themelore universitare të lirisë së mendimit dhe të shprehjes, tolerancës dhe autonomisë dhe minon ambicien dhe të drejtën themelore të çdo individi për t’u kualifikuar dhe kontribuar për kombin e tij, shoqërinë dhe botën. Sulmet ndaj universiteteve, studentëve dhe akademikëve të tyre, e dobësojnë ose e prishin lirinë akademike; kanë ndikim shkatërrues në kërkimet, mësimdhënien dhe qasjen në arsim; dhe e pengojnë zhvillimin afatgjatë të shoqërisë. Mbrojtja e lirisë dhe e sigurisë së universiteteve dhe komuniteteve universitare është jetike për sigurimin e përparimit të dijes dhe zhvillimit kulturor dhe shkencor të njerëzimit”, tha Selam Sulejmani.   Po ashtu, u tha se kërkimi i dijes nuk ka kufij dhe universitetet i kapërcejnë kufijtë gjeografikë dhe politikë. Duke përkrahur parimet e Koalicionit Global për Mbrojtjen e Arsimit nga Sulmet, EUA u bën thirrje universiteteve në të gjithë Evropën dhe më gjerë për t’u bashkuar në solidaritet, duke dënuar këto të fundit dhe çfarëdo forme tjetër të dhunës ndaj arsimit. Ajo, më tej i bën apel komunitetit ndërkombëtar që të merr masa për të mbrojtur universitetet nga sulmet dhe t’i parandalojë ato që mos të ndodhin në të ardhmen.

Exit mobile version