Site icon PORTALB

“Loro Boriçi”, zbulohet projekti i arkitektit shqiptar

Projekti i ing-ark. Reshat Koçkiqi

Ndonëse qeveria shqiptare i kishte besuar që në fillim arkitektit australian Peter Uilson ideimin e projektit të rikonstruksionit të stadiumit të Shkodrës “Loro Boriçi”, në zyrat e kryeministrit Edi Rama kishte përfunduar edhe një projekt i dytë për shqyrtim.

Ky projekt i dytë, i krijuar nga inxhinieri Reshat Koçkiqi, është bërë publik nga stafi që ka ndihmuar në krijimin e tij, duke u bërë temë diskutimi në rrjetet sociale.

Një ditë pasi në mediat italiane u bë publik plani tredimensional i stadiumit “Loro Boriçi” sipas rikonstruksionit të planifikuar nga Uilson, në “Facebook” është krijuar një faqe që i kushtohet pikërisht këtij projekti të dytë, me ndryshime thelbësore nga ai i miratuar prej qeverisë shqiptare.

Sipas planit, do të respektohej projekti fillestar i rikonstruksionit të stadiumit në vitet ’80, i krijuar po nga inxhinieri Koçkiqi, duke plotësuar tribunat që u lanë përgjysmë në fillimin e viteve ’90. Në këtë mënyrë, do të ndërtohej harku pas portës i lënë bosh, ndërsa do të rikonstruktohej me të njëjtën lartësi edhe tribuna kryesore.

Kuptohet që projekti i vjetër do të pësonte ndryshime rrënjësore për sa u përket standardeve që duhej të plotësonte, me modernizimin e tribunave sipas parametrave bashkëkohorë të kërkuar nga UEFA për një stadium në të cilin duheshin luajtur ndeshje ndërkombëtare. Duke ruajtur planimetrinë fillestare të stadiumit, mendohej të respektohej edhe studimi akustik i bërë asokohe, për të mundësuar një atmosferë më të ngrohtë në impiant nga tifozeria, mangësi që është shfaqur në stadiumin e rikonstruktuar “Elbasan Arena”.

Kapaciteti i stadiumit me këtë projekt do të ishte prej 21500 spektatorësh, rreth 4500 më shumë sesa projekti i miratuar nga qeveria shqiptare. Janë bërë të ditura edhe disa nga specifikat e tribunës qendrore të planifikuar për këtë impiant, me 531 vende VIP, 46 vende në tribunën e nderit, 106 vende për gazetarët, si dhe 35 vende të rezervuara për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas projektueseve, kostoja e përgjithshme e rikonstruksionit të stadiumit “Loro Boriçi” do të ishte 10 milionë euro. /albeu

Exit mobile version