Site icon PORTALB

Nënshkruhet Ligji për amnistinë

Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga

Shoqëria civile kishte organizuar disa protesta të zëshme,e të tjera të qeta që të kundërshtohej Ligji për amnistinë, por zëri i tyre nuk u dëgjua sa duhet.

Me marshime të shoqërisë civile, dhe mbledhje të mbi 12 mijë nënshkrimeve për ta kundërshtuar këtë ligj, asgjë nuk u arrit, pasi kushti i vendosur nga Beogradi për transformimin e strukturave të saj paralele në veri nga ilegaliteti në legalitet, kishte si garantues Brukselin dhe Uashingtonin.

Madje, nuk kryen punë as ftesat që publikisht u bëheshin deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos e votojnë!

Të mërkurën, Ligji për amnistinë mori vizën nga presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, e cila e nënshkroi përfundimisht dhe e dërgoi për procedurë të mëtejme.

“Sot e kemi dorëzuar në Kuvend. Tash Kuvendi e dërgon në Gazetë Zyrtare për botim… Proceduralisht sot e kemi dorëzuar [Ligjin për amnistinë], por mbrëmë e ka nënshkruar presidentja [Atifete Jahjaga]”, thotë për Radion Evropa e Lirë Selim Selimi, këshilltari ligjor i presidentes.

Ligji për amnistinë ishte rezultat i prodhuar nga marrëveshja 15 pikëshe ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, e cila u arrit më 19 prill në Bruksel.

Beogradi kishte kushtëzuar zbatimin në praktikë të marrëveshjes që nënkuptonte zhbërjen e strukturave të veta paralele që i ka financuar prej pasluftës në Kosovë, dhe kosovarizimin e tyre në një fazë të mëvonshme.

Ky kusht kishte të bënte në radhë të parë me amnistimin e të gjithë serbëve të veriut për të kaluarën e tyre.

Ligji u miratua me procedurë të shpejtuar më 11 korrik, pas disa modifikimeve në të, meqë përveç serbëve të veriut, edhe shqiptarët në jug faleshin për të bëmat e së kaluarës.

Por, shoqëria civile vazhdoi ta kundërshtojë duke mbledhur mijëra nënshkrime, të cilat, sipas drejtuesit të Institutit KIPRED, Ilir Deda, vlejnë shumë.

“Nëse 91 individë në Kuvendin e Kosovës kanë votuar për legjitimimin e krimit në Kosovë, 12,564 njerëz në Republikën e Kosovës janë kundër këtij legjitimimi. Dhe, të mos mundohet dikush të thirret në legjitimitetin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës kur dihet se ky Kuvend është produkt i një vjedhjeje industriale të votave”, pati thënë Deda.

Ndërkaq, në planin politik kundërshtimi i Lëvizjes Vetëvendosje shkoi tutje.
Deputetët e lëvizjes përveç kontestimit, çështjen e dërguan në Gjykatën Kushtetuese.

Pas analizimit të kërkesës, Kushtetuesja i dha dritën jeshile Ligjit për amnisti dhe mori vendim që të hiqen disa nene që u konsideruan si jo-kushtetuese, dhe e ktheu prapa.

Kuvendi i inkorporoi modalitetet e Kushtetueses dhe e dërgoi te presidentja për shpallje.

“Zyra ligjore këtu në Presidencë, e ka kontrolluar dhe analizuar dhe ia ka dorëzuar presidentes për shpallje, të cilën gjë presidentja e ka bërë mbrëmë”, sqaroi Selimi.

Edhe pas vendimit që kishte nxjerrë Gjykata Kushtetuese, shoqëria civile vlerëson se në formën dhe përmbajtjen e miratuar, Ligji për amnistinë u ka krijuar mundësi për amnisti edhe individëve apo strukturave tjera që mund të jenë të përfshirë në vepra kriminale e korruptive në gjithë Kosovën – e jo vetëm në veri./ Tribuna

Exit mobile version