Site icon PORTALB

Neziri: Ndryshimi i vitrinave të Çarshisë do të tërheqë investitorë të huaj

Ministri i Ekonomisë Bekim Neziri dje mori pjesë në Takimin konsultativ me kryetarin e komunës së Çairit Izet Mexhiti dhe me sekretarin shtetërorë në Ministrinë e Kulturës Behixhudin Shehapi, ku temë diskutimi ishte projekti për kthimin e pamjes autentike të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, që gjendet në kuadër të Komunës së Çairit.
Ministri Neziri tha se Ministria e Ekonomisë, ashtu siç ka mbështetur edhe deri tani projekte në Komunën e Çairit, do të vazhdojë me mbështetjen për projektin për kthimin e autincitetit të dyqaneve në Çarshinë e Vjetër në Shkup.
“Ministria e Ekonomisë, për vitin 2015 ka ndarë 20 milionë denarë për mbështetjen e projekteve në Çarshinë e Vjetër. Në këtë rast bëhet fjalë për një projekt që ka për qëllim kthimin e pamjes origjinale të dyqaneve në Çarshinë e Vjetër, që është një ndër lokacionet më atraktive për tërheqjen e turistëve të huaj, si një nga çarshitë më të mëdha në Ballkan. Ne si pushtet qëndror edhe komuna e Çairit kemi obligim të përkrahim projekte të këtilla me qëllim të tërheqjes së sa më shumë turistëve të huaj”, tha ministri Neziri.

Kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti tha se qëllimi i këtij projekti është kthimi i shkëlqimit të Çarshisë së Vjetër, sepse sot në një rrugicë të vetme mund të hasen dhjetë vitrina të ndryshme, të bëra nga metali, druri dhe materiale të tjera, që nuk transmetojnë origjinalitetin e Çarshisë.

“Për model për kthimin e autenticitetit të Çarshisë së Vjetër kemi marrë atë të Sarajevës, ku dyqanet dhe rrugicat janë të unifikuara. Për realizimin e këtij projekti do të shfrytëzojmë mjetet nga Fondi IPA, me të cilin do të kthejmë pamjen e më parshme edhe të bashkësisë lokale në Çarshi. Do të renovohen vitrinat e pronarëve që do të kenë dëshirë ta bëjnë një gjë të tillë, që nënkupton se i njëjti nuk është obligativ. Të gjitha shpenzimet do ti mbulon komuna në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë”, tha Mexhiti.

Sekretari shtetërorë në Ministrinë e Kulturës Behixhudin Shehapi tha se ky projekt mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe se çdo iniciativë do të realizohet në koordinim mes institucioneve të involvuara.

Ministri Neziri në mënyrë kategorike hodhi poshtë dezinformatat që u transmetuan në disa media, se me këtë projekt zejtarët dhe pronarët e dyqaneve në Çarshinë e Vjetër do të jenë të obliguar të zëvendësojnë vitrinat e dyqaneve, duke shtuar se edhe pse Ministia e Ekonomisë dhe Komuna e Çairit do të paguajnë pjesën më të madhe të investimit, kjo gjë nuk do të bëhet pa miratimin e pronarëve dhe Shoqatës së zejtarëve “Esnafi”.

Exit mobile version