Site icon PORTALB

Pakti, Rusia i jep 4.2 mld dollar Greqisë

Greqia dhe Rusia firmosën sot një marrëveshje tregtare, e cila i siguron Greqisë 4.2 miliardë euro dhe diskutuan rreth rishikimit të marrëveshjes për furnizimin e Greqisë me gaz natyror. Pas bisedimeve midis dy delegacioneve, Kryeministri grek, Aleksis Cipras dhe Presidenti rus, Vladimi Putin mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, raporton “Greek Reporter”.

Cipras tha se vizita e tij në Moskë synon rigjallërimin e marrëdhënive greko-ruse. Ai tha më tej se Greqia është një shtet sovran dhe ka të drejtë që të kërkojë aleanca ekonomike në përputhje me interesat e saj, duke shfrytëzuar pozicionin e saj gjeopolitik.

Dy vendet, siç theksoi kryeministri grek, do të bashkëpunojnë në nivel tregtar dhe kulturor dhe Rusia do të investojë në turizëm dhe infrastrukturë në Greqi. Njëkohësisht, ai u bëri thirrje investitorëve që të ndërtojnë një gazsjellës që të furnizojë Greqinë me gaz rus, duke zgjidhur kështu problemin me energjinë.

Lidhur me çështjen e sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj Rusisë, Cipras tha se nuk bie dakord me këto sanksione, pasi ato i kujtojnë atij praktikat e Luftës së Ftohtë. Përsa i përket borxhit të Greqisë, ai tha se nuk do të shkojë në vende të tjera për t’u kërkuar atyre zgjidhje për një problem evropian, i cili kërkon një zgjidhje evropiane.

Nga ana e tij, Putini tha se Greqia nuk i kërkoi Rusisë ndihmë financiare. Marrëveshja tregtare midis dy vendeve do t’i sigurojë Greqisë 4.2. mld euro. Ai tha se është i interesuar për investime infrastrukturore, si në Portin e Selanikut. Po ashtu, ai tha se gazsjellësi “Rrjedha Turke” mund ta bëjë Greqinë një port energjie, prej nga mund të transportohet gaz për në Europën Qendrore.

Para konferencës për shtyp, dy udhëheqësit dhe delegacionet e tyre nënshkruan një Memorandum “2016: Viti i Marrëdhënive Greqi-Rusi”, një program veprimesh bilaterale për periudhën 2015-2016 dhe një njoftim zyrtar të përbashkët për 70-vjetorin e Luftës së Dytë Botërore, që do të festohet në Moskë muajin e ardhshëm.

Para takimit, disa zyrtarë të lartë europianë e kritikuan lëvizjen e Cipras për të vizituar Moskën në një kohë kur negociatat kyçe me kreditorët kanë ngecur. Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe president francez, Fransua Holond e komentuan këtë vizitë si “një shfaqje të veçantë”.

Exit mobile version