Site icon PORTALB

SHBA, republikani Rand Paul shpall kandidaturën për president

Rand Paul

Rand Paul

Senatori republikan, Rand Paul do të jetë në garën për President të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e 2016-ës.

Kandidatura u njoftua fillimisht përmes faqes zyrtare të senatorit të Kentakit dhe pak orë më vonë ai çeli fushatën e tij drejt Shtëpisë së Bardhë me një tubim masiv në vendlindje.

“Sot nisim rrugëtimin tonë për të rimarrë Amerikën. Kandidoj për tër rikthyer parimet e lirisë dhe për të kufizuar ndërhyrjet e qeverisë në jetën private të qytetarëve”, tha Paul para mbështetësve të tij.

I biri i Ron Paul, republikan që ka kandiduar disa herë në radhët e republikanëve për t’u përzgjedhur si kandidat për Shtëpinë e Bardhë, Rand është më liberal. Ai ka marrë guximin të kundërshtojë shpesh qëndrimet e ‘gardës së vjetër’ mbi programet e përgjimit, politikat e jashtme dhe sanksionet ndaj Kubës.

Por përpara sfidës me kandidatin demokrat në 2016-ës, Paul duhet të mposhtë rivalitetin brenda llojit dhe nëse del fitues nga ky rivalitet atëherë do të jetë kandidati zyrtar i republikanëve që do të përballet me kandidatin demokrat për t’i zënë vendin Obama-s. Paul, 52-vjeç, një ish-kirurg okulistik, është emri i dytë i dalë nga radhët e republikanëve që njofton zyrtarisht ambicien për të marrë Shtëpinë e Bardhë. I pari që njoftoi kandidaturën ishte Ted Cruz, senator i Teksasit.

Paul dhe Cruz janë kandidatët më të zëshëm që deklarojnë kandidaturën e tyre, por gara brenda republikanëve sapo ka nisur dhe në të mund të përfshihen deri në 20 emra, mes të cilëve edhe një prej ‘dinastisë’ Bush, ish-guvernatori i Floridas, Jebb Bush./ TCH

Exit mobile version