Me dëshmitë e reja do të dështojnë të gjitha përpjekjet e Gruevskit për të ruajtur me çdo kusht pushtetin. Kështu ka deklaruar lideri i LSDM-së Zoran Zaev duke përsëritur qëndrimin se me publikimin e bombave më serioze, të planifikuara për periudhën e ardhshme, Gruevksi do ti thotë lamtumirë politikës.
“Dorëheqjet janë të paevitueshme. Qeveria kalimtare është e paevitueshme. Nuk ka shpëtim nga kjo. Pasi të publikojmë gjithçka që kemi, përpjekjet e Gruevskit për të qëndruar në pushtet nuk do të kenë sukses”, ka thënë Zoran Zaev për televizionin N1 nga Beogradi, partner i televizionit global CNN.
Me kërkesë të televizionit, Zaev ka sqaruar përfshirjen e kryeministrit Gruevski në përvetësimin e parcelave në Vodno, përmes of-shor kompanive. Sipas Zaevit, në dëm të qytetarëve të Shkupit, shirita gjelbërimi janë shndërruar në parcela ndërtimi dhe banimi, duke ndryshuar planet urbanistike me porosi të drejtpërdrejtë të Gruevskit.