Programi i Qeverisë, asnjë pyetje nga PD

Do diskutojnë të gjithë deputetët e opozitës nga 20 minuta. Halimi: Kopjuan planin e ministrive tona.

Imami: Premtimet e Ramës realizohen me taksat e Enverit në ‘45.

Partia Demokratike nuk ka depozituar asnjë pyetje për programin e qeverisë, i cili do të debatohet në një seancë parlamentare ditën e shtunë. Ora 20:00 e mbrëmjes së djeshme ka qenë afati i fundit i vendosur nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, për grupet parlamentare që të paraqisnin pyetjet me shkrim për Kryeministrin Rama, po Grupi demokrat ka vendosur të mos paraqesë asnjë pyetje.

I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, kreu i Grupit, Edi Paloka, tha se ajo që u paraqit në seancë nuk ishte program dhe në këto kushte qeverisë së re nuk mund t’i drejtohet asnjë pyetje. Në të njëjtën kohë ai konfirmoi se të gjithë deputetët e Partisë Demokratike dhe aleatëve të tjerë të djathtë kanë regjistruar emrin për të marrë pjesë në diskutimet e së shtunës. Sipas Rregullores, kur debatohet për programin e qeverisë, secili deputet ka nga 20 minuta në dispozicion.

REAGIMET
Ish ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi thotë se programi i paraqitur nga PS-ja nuk ka një model. Sipas tij ato që u lexuan në seancën parlamentare janë shkëputur nga objektivat e ministrive të qeverisë po lë detyrën. “Një material demagogjik, nihilist e negativist për gjendjen e Shqipërisë. Eshtë shkruar nga një OJF dhe ka marrë ‘copy- paste’ planet e punës se ministrive dhe objektivat strategjike për muajt e ardhshëm. 80% e atyre që shkruhen aty janë realizuar dhe Rama nuk njeh realitetin. Mungojnë tërësisht objektivat e qarte, drejtimet për arritjet, planet dhe kalendarët e veprimit. Nuk thuhet se kur do fillojë shëndetësia falas, kur do të ulen taksat për 95% të shqiptarëve, kujt do t’i ulen? Sa do t’i ulen? Programi dhe fjala e Ramës se nuk do njohë kufijtë e pavarësisë së gjykatave dhe Prokurorisë ishte sulmi më i paprecedentë kundër Kushtetutës dhe organeve kushtetuese në një vend demokratik!”, tha Halimi.

Sipas tij “Rama ju shmang programit gjatë fjalës së tij, si një alibi për paaftësinë për t’i qëndruar premtimeve në fushatë. Foli me një mllef politik duke paralajmëruar instalimin e një kulture konfliktualiteti në Parlament”. Ndërsa ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, tha dje për “Top Channel” se Partia Socialiste nuk paraqiti program në seancën e fundit parlamentare. Sipas tij, në fjalimin e Edi Ramës nuk kishte asgjë të përcaktuar. “ Nuk ka gjëra të parealizueshme. Ka edhe taksë të jashtëzakonshme, siç është vendosur në 45-n në këtë vend dhe mund te realizohet. Dhe taksa progresive po kështu mund të realizohet. E realizoi edhe shoku Enver premtimin për shëndetësi falas, por ne fakt nuk ka patur shëndetësi falas. Do të ishte fat i madh që të tilla projekte ekstreme të mos gjenin realizim, por kjo është një çështje që do t’i mbetet kohës”, tha Imami.

Lajme të ngjashme

Back to top button