Site icon PORTALB

Reagime: Pse EVN ndërroi njehsorët e rrymës?!

Qytetarët vazhdojnë të ankohen për faturat e lartë të energjisë elektrike në Maqedoni, madje ata thonë që nga zëvendësimi i njehsorëve të vjetër me të rinj, faturat filluan të jenë marramendëse.

Gani Ismaili, qytetar sqaron për Portalb se diferenca e faturave para vënies së njehsorëve të rinj dhe pas është mjaft e madhe.

“Kur e kishim orën e vjetër të rrymës na vinte rryma deri në 3 mijë denarë kurse ani me orën e re asnjëherë nuk më ka ardhur ndër 5 mijë denarë dhe mjaft jemi duke kursyer. Nuk e kuptoj ku ishte nevoja e ndryshimit të orëve, pse e bënë këtë, nuk e kuptojmë”, tha Ismaili.

Duke pasur parasysh pagat në Maqedoni, faturat e rrymës janë tejet të larta, në perëndim që kanë rrogat shumë më të mëdha se ne nuk paguajnë kështu, ankohen më tej qytetarët.

“Është e tmerrshme, ora e re po e ha rrymën, na sakatuan, me 200 euro rrogë paguajmë 150 euro rrymë, po ku janë faturat tjera, ku janë veshmbathjet dhe ushqimi. Është e tmerrshme, askund nuk është kështu, vetëm te neve, se na kanë gjet. Në perëndim kam kushërinj dhe më thonë se shumë më pak se neve paguajnë rrymë kurse rrogat i kanë tre katër herë më të mëdha, mos më shumë, kjo është e tmerrshme”, tha Samet T., qytetar.

Nga EVN sqarojnë se para instalimit në vitin 2007, njehsorët kanë tejkaluar të gjitha (testet) të cilat duhet dhe janë (certifikuar) nga Ministria e Ekonomisë dhe Byroja e Metrologjisë, ku bëhet edhe licencimi i kompanive prodhuese nga këto institucine.

“Çdo version i njehsorëve para se  t’i mundësohet instalimi dhe importimi i tyre, pllombohen, ndryshe të ashtuquajtura – “pllombë shtetërore”, dhe ky proces i përgjegjësisë i takon  Ministrisë së Ekonomisë dhe Byrosë së Metrologjisë. Vetë verifikimi i pllombimit gjatë inspektimit nga ana e institucioneve shtetërore kompetente, garanton që të gjitha testet në lidhje me njehsimin dhe llogaritjen e konsumit i plotësojnë kushtet. Andaj, EVN asnjëherë nuk ka mundësi të certifikojë njehsorë pa miratimin e ME-së dhe BM-së. Pra, konsumatorët nuk duhet të shqetësohen, sepse nuk ka mundësi të ketë abuzim të matjes së tepërt të rrymës, apo shpenzim i tepërt i energjisë elektrike”, tha për Portalb, Vlera Gjakova, zëdhënëse e EVN-së.

Ajo shtoi se gjatë ndërrimit të aparatit matës, dallimi në shumën e faturës së energjisë elektrike mund ndodh për disa faktorë:  aparatet e rinj matës digjital në mënyrë shumë më precize e matin energjinë e shpenzuar elektrike në krahasim me aparatet matës mekanikë.

“EVN Maqedoni e ka obligim ligjor ndërrimin e njehsorëve matës. PO, më të zëshëm se pse janë ndërruar njehsorët mekanikë janë ata konsumatorë  të cilët kishin mundësi  të manipulojnë shumë më lehtë, në veçanti me kilovatët e shpenzuar, ndërsa me aparatët e rinj matës digjital:
Nën 1: Për dallim prej njehsorëve mekanikë, njehsorët digjitalë përfaqësojnë klasë të avancuar të saktësisë.
Nën 2: Në mënyrë shumë më precize matet energjia e shpenzuar.
Nën 3: Është e integruar ora tarifore, pamundësua e keqëpërdorimit të kohsë së tarifiës, dhe mund të programohet sistetmi tarifor i aprovuar nga Komisioni Rregullator i Energjetikës.
Nën 4: Memorizohet gjendja e kilovatëve të shpenzuar, nuk kanë nevojë të servisimit, dhe më e rëndësishme- nuk mund të manipulohen nga konsumatorët.
Çmimin e energjisë elektrike nuk përcakton EVN-ja dhe akuzat që i bëhen asaj janë plotësisht të PABAZA. Çmimet, tarifat dhe struktura tarifore në Republikën e Maqedonisë përcaktohen nga Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRE). Pyetjet për çmimin e rrymës duhet drejtuar te KRE-ja.” arsyetohet Gjakova.

Ndërkaq  si rezultat i pakënaqësisë, qytetarët kanë hapur faqe në rrjetin social Facebook, të cilën i kanë titulluar si:  “Të gjithë kundër EVN-së” dhe “Ta heqim 33,33 % prej faturave te EVN-së” .

Exit mobile version