Site icon PORTALB

Jahjaga: Jo bashkim me Shqipërinë!

Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga

Presidentja Jahjaga bashkimin e Kosovës me Shqipërinë e sheh si ide të shekullit të kaluar. Ajo thotë se tani Kosova synim të vetëm ka integrimin në Bashkimin Evropian.

Presidentja Atifete Jahjaga, gjatë vizitës zyrtare në Zvicër ka folur për mediat atje, rreth shqetësimit me emigrimin masiv të kohëve të fundit të kosovarëve, por edhe për sfidat tjera të shtetit të ri.

Jahjaga në një intervistë për gazetën zvicerane “Tagblatt”, ka thënë se është e vërtetë se muajve të fundit Kosova ka pasur probleme me emigracionin e paligjshëm, por sipas saj ky nuk është problem vetëm i Kosovës, por i gjithë rajonit, transmeton lajmi.net.

Ajo ka thënë se arsyet e migrimit janë kryesisht ekonomike dhe perspektiva jo e qartë e integrimit europian, por edhe ajo se qarqe të caktuara kriminale kanë shfrytëzuar manipulimin e qytetarëve për të përfituar prej tyre.

E pyetur rreth asaj se si e sheh dëshirën e shprehur hapur nga shumë të rinj kosovarë për një shtet të madh shqiptar, ku do të përfshihej edhe Kosova, Jahjaga ka thënë se vendi tani ka ambicie tjera.

Presidentja ka thënë se tani jetojmë në shekullin 21 dhe nuk është koha që të realizohen ide të shekullit të kaluar. Sipas saj qëllimi i Kosovës dhe i të gjithë banorëve të saj është integrimi në Bashkimin Evropian.

Exit mobile version