Në Klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup është regjistruar edhe një pacient i dyshuar për tularemi. Me këtë, numri i të prekurve nga kjo sëmundje shkon në 10, ndërsa te 9 të parët, është konfirmuar prania e sëmundjes që bartet nga kafshët.
Autoritetet shëndetësore po mobilizohen, madje pritet që Komisioni i sëmundjeve infektive të mblidhet dhe të diskutojë me përfaqësues nga Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë. Sëmundja nuk transmetohet nga njeriu te njeriu.
Personi me tularemi mund të infektohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshë të infektuara, nga kafshimi i rriqrave dhe morrave, gjatë thithjes së pluhurit ku është prezent bakteri i tularemisë, gjatë konsumit të ushqimit apo ujit të kontaminuar ose përmes mishit të papërpunuar, pra të pa zierë mirë.