Site icon PORTALB

BDI lëshon pe për ligjin e letërnjoftimeve

Vetëm tre orë ka zgjatur rrezistenca e BDI-së kundër seancës plenare, në rendin e ditës të së cilës, u futën edhe propozim/ligjet për banim dhe letërnjoftim. Dy pikat ishin shkak edhe për zvarritjen e seancës së sotme plenare. Fillimisht u anulua komisioni ligjvënës në të cilin dy ligjet duhej të merrnin bekimin e fundit, para kalimit në seancë plenare. Anulimin e komisionit, Kreu i grupit parlamentar të BDI-së Talat Xhaferi e përdori si shkak për të kërkuar që ligji për vendbanim dhe ligji për letërnjoftim, të hiqen nga rendi i ditës në seancë plenare.

Pas pauzës në orën 15:00 deputetët e BDI-së u rikthyen në sallë në numër të mjaftueshëm duke i dhënë kështu kryeparlamentarit Veljanovski, shumicën e nevojshme për të vënë në votim rendin e ditës bashkë me dy ligjet kontestuese. Edhe pse votuan të përmbajtur, deputetët e BDI-së me prezencën e tyre mundësuan kuorumin e duhur që vetëm me votat e VMRO-së, të miratohej rendi i ditës. Nuk dihet se cili do të jetë fati i dy ligjeve, të cilët në fillim dukej se ka gjasa të kenë fatin e ligjit të branitellave dhe atij për avokatin e popullit. Xhaferi, ditë më parë tha për Alsat-M se këto ndryshime janë anti-kushtetuese dhe të papranueshme për partinë e tij. Sipas propozim të ri, qytetarëve që qëndrojnë jashtë vendit më shumë se tre muaj, iu hiqet adresa e banimit duke iu pamundësuar kështu nxjerrjen e letërnjoftimit të ri në të ardhmen.

Nga ana tjetër ndryshimet lejojnë që letërnjoftimet të mund të nxirren edhe në qytetet e tjera dhe jo vetëm në qytetin ku banon. Analistët thanë se ndryshimet janë propozuar nga VMRO-ja me qëllim të manipulimeve zgjedhore në të ardhmen dhe fshirjen e mërgimtarëve shqiptarë nga regjistrimi i ardhshëm i popullsisë.

Exit mobile version