Site icon PORTALB

Pendarovski: BDI dhe PDSH besnik ndaj VMRO-së “deri në vdekje”

Stevo Pendarovski

Stevo Pendarovski

Kandidati i LSDM-së, për kryetar shteti dhe profesor universitar, Stevo Pendarovski, në një intervistë për gazetën “Slloboden Peçat”, ka komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike në Maqedoni. Ai  mes tjerash ka folur edhe për idenë e deputetes Ermira Mehemti, që kryeministri i qeverisë kalimtare në Maqedoni të jetë shqiptarë dhe ajo qeveri të ketë mandatin për zgjidhjen e çështjes së emrit. Sipas Pendarovskit, këto kërkesa janë jo reale ngaqë viteve të fundit në Qeveri ka qenë edhe BDI-ja e jo vetëm VMRO-ja.

“Nëse flasim realisht, mendoj që BDI në këto momente, as zyrtarisht nuk e ka pranuar idenë e qeverisë kalimtare. Por, përshtypja ime për propozimin që e përmendët është larg realitetit. Nëse niseni nga propozimi se një shqiptar duhet të jetë kryeministër i asaj qeverie vetëm për shkak se maqedonasit kanë humbur kredibilitetin me aferat, është njësoj sikurse të thuhet se VMRO-DPMNE ka qeverisur e vetmuar me Maqedoninë në 9 vitet e kaluar, ndërsa të gjithë e dimë se BDI dhe PDSH kanë qenë dhe janë partner lojal të VMRO-së “deri në vdekje”, ka deklaruar Pendarovski, transmeton SHENJA.

Ndërsa sa i përket spekulimeve se kryeministri Nikolla Gruevski do të tentoj të dal nga kriza me ristrukturim të kabinetit qeveritare por në krye të jetë ai dhe këtë ta quaj qeveri kalimtare, Pendarovski thotë se një lëvizje e tillë nuk është e mundur.

“Kjo vlen edhe për të gjithë pjesëmarrësit në audio-incizimet të cilët në mënyrë konkrete me fjalë të tyre tregojnë se si e kuptojnë demokracinë. Nuk besoj se kapetani i anijes që po fundos do të sakrifikojë cilin do anëtarë nga ekuipazhi, për arsye se të gjithë e dinë se kush gjatë këtyre viteve gjendet në majën e piramidës së fuqisë dhe keqpërdorimeve. Me fjalë tjera, një lëvizje e tillë nuk do t’i kryen punë”, ka thënë Pendarovski.

Exit mobile version