Site icon PORTALB

Grubi nuk mbështet propozimin e Mehmetin

Artan Grubi

Artan Grubi

Deputetja nga radhët e BDI-së, Ermira Mehmeti publikoi sot një “propozim-skemë” për dalje nga kriza, duke propozuar formimin  një qeverie gjithëpërfshirëse me kryeministër shqiptar. Por, vetëm disa orë më vonë, Ermira u demantua nga vetë bashkëpartiaku i saj, Artan Grubi, i cili në një deklaratë për NOVA ka thënë se ende është herët të bisedohet për kërkesën e Zaevit për formimin e Qeverisë kalimtare.

“Sa i përket kërkesës për qeveri kalimtare, gjykoj që akoma nuk është koha për një hap të tillë pa vendosur dialog të mirëfilltë midis partive politike dhe ende pa u angazhuar komuniteti ndërkombëtar si ndërmjetësues në këtë proces”, ka deklaruar Grubi.

Kurse sa i përket kërkesës së LSDM-së, për kyçjen e faktorit ndërkombëtar në zbatimin e hetimit në aferën e përgjimeve, Grubi ka thënë se BDI pajtohet dhe kërkon që një ekip ligjor i ndërkombëtarëve të kontribuojnë për zbardhjen e aferës së përgjimeve masive.

“Në lidhje me kërkesat e mbrëmshme politike të liderit të LSDM¬së Zaev, ishte pikërisht z. Ahmeti dhe BDI që kërkuan përfshirje urgjente të Brukselit me ekip politik të përforcuar me ekspert ligjor dhe të hetuesisë që në bashkëveprim me autoritetet vendore do të kontribuonin për një proces kredibil dhe transparent në zbardhjen e aferës së përgjimeve masive”, ka deklaruar Artan Grubi, shefi i kabinetit të kryetarit të BDI-së.

Exit mobile version