Site icon PORTALB

Familja Blair nuk i ndahet qeverisë “Rama”, ikën Tony dhe vjen Cherie

Cherie Blair

Familja ish kryeministrore angleze nuk po i ndahet qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Pas largimit të Tony Blair që lidhi kontratë me Serbinë për të këshilluar kryeministrin serb, e shoqja e tij do të këshillojë kryeministrin shqiptar.

Gruaja e Tony Blair firmosi një kontratë me qeverinë shqiptare, konfirmoi sot, e përditshmja e Londrës, “The Telegraph”. Ajo dha detaje mbi kontratën e bashkëshortes së ish Kryeministrit të Londrës, Cherie Blair.

Fitimprurëse e cilëson gazeta në fjalë marrëveshjen mes Cherie Blair dhe Qeverisë së Tiranës, një vit e gjysmë pasi i shoqi, Tony Blair, nisi të këshillonte Kryeministrin Edi Rama.

Firma ligjore e Cherie, Omnia Strategy, është caktuar për të mbrojtur Shqipërinë në një proces ligjor që mund t’i kushtojë Shqipërisë 250 milionë paund, pas vendimit të Qeverisë Rama për të anuluar një kontratë me kompaninë amerikane Rapiscan System, e cila ishte pajtuar në prill 2013 për pajisjen me skanera të posaçëm në dogana dhe pika kufitare.

“The Telegraph” pohon se nuk dihet saktësisht sa do të paguhet Cherie Blair nga Qeveria shqiptare, që këshillohet nga bashkëshorti i saj. Por sipas gazetës, nëse shuma do të jetë e ngjashme me kontratën që ajo firmosi me qeverinë e Kazakistanit në Astana, edhe kjo e këshilluar nga Tony Blair, atëherë Cherie do të jetë mëse e lumtur.

Omnia Strategy, e krijuar nga Cherie Blair në 2011, u pagua nga Kazakistani 400 mijë paund për 6 muaj punë, ose thënë ndryshe 975 paund/ora. Një tarifë më e ulët se cmimet e kripura të Cherie, e cila sipas gazetës në fjalë, kërkon zakonisht 1150 paund/ora për shërbimet e saj.

Duke vënë theksin te mungesa e transparencës, “The Telegraph” shkruan se pavarësisht insistimit të Tony Blair se ekipi i tij që qëndron në Tiranë nuk financohet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, mbetet e paqartë kush saktësisht paguan për ekipin e këshilltarëve në terren, mes të cilëve është edhe nipi i Alastair Campbell, këshilltar ky i Tony Blair. /noa

Exit mobile version