Shefi i Zyrës se BE-së, Samuel Zhbogar ka reaguar për vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për çështjen e Gjykatës së Posaçme.
Në deklaratën e tij Zhbogar ka përgëzuar qeverinë për përkushtimin ndaj kësaj Gjykate, duke thënë se kjo Gjykatë nuk ka të bëjë me ndjekjen penale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por me përcaktimin e përgjegjësisë penale të individëve.
“Ne përgëzojmë Qeverinë e Kosovës për vazhdimin e përkushtimit ndaj Gjykatës së Posaçme, e inicuar nga Shkëmbimi i Letrave dhe të miratuar nga Kuvendi. Gjykata e Posaçme nuk ka të bëjë me ndjekjen penale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por me përcaktimin e përgjegjësisë penale të individëve. Ky vendim rikonfirmon përkushtimin e autoriteteve të Kosovës për të larguar një re të zezë që po qëndron mbi Kosovë që nga publikimi i raportit të Këshillit të Evropës i vitit 2011”, ka deklaruar Zhbogar. /albeu