Nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi ka thënë se situata me përgjimin është e ndërlikuar, duke përsëritur kërkesën e partisë për ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.
Sipas saj, BDI ka deklaruar shumë herë se bëhet fjalë për një situatë jashtëzakonisht të ndjeshme politike dhe shumë pasoja të mundshme për stabilitetin e vendit.
“Ne kemi deklaruar se gjatë kësaj situate, që është vërtetë e ndjeshme, të sillemi si një subjekt politik me përgjegjësi. Prandaj edhe mbetemi me qëndrimin se, është e rëndësishme dhe e domosdoshme përfshirja e faktorit ndërkombëtar në lehtësimin dhe rivendosjen e sistemit, duke pasur parasysh faktin që me tërë këtë situatë ka ardhur në pyetje autoriteti i institucioneve”, ka thënë Arifi.