Site icon PORTALB

Protestojnë për listat e veteranëve, japin emrat e atyre që s’kanë qenë

Lista me emrat e veteranëve të luftës së UÇK-së nga komuna Ferizajt, po vazhdon të kontestohet nga veteranë të luftës të cilët nuk po mund të besojnë se në mesin e tyre ka edhe emra që kanë qenë larg luftës dhe nuk kanë të bëjnë fare me të.

Dy pjesëtarë të UÇK-së nga fshati Tërrn i Ferizajt, njëri veteran, Naser Ramadani dhe tjetri invalidi i luftës Shemsi Bajrami, të shtunën e kishin zgjedhë një formë të veçantë të protestës.

Ata kishin vendosur të publikojnë listën me emrat e 50 luftëtarëve të UÇK-së nga fshati i tyre të cilët tashmë janë pjesë e listës së veteranëve të luftës të publikuar nga Komisioni për Verifikim.

Por, ajo që e bënë më interesant tregimin e tyre qëndron në faktin se në mesin e këtyre 50 emrave janë 17 persona të cilët fare nuk kanë qenë pjesë e luftës.

“Ne e kemi ndërmarr këtë hap për ta njoftuar opinionin dhe njëkohësisht për t’i bërë presion Komisionit të Verifikimit, që të mos bëjnë lojë me listat ngase kjo e kalon çdo normë morale e njerëzore. Reagimi i jonë përveç që ka karakter vetëdijësues, në njërën anë ka edhe karakter sensibilzues, sepse kështu njoftojmë opinionin e gjerë se ka padrejtësi në këto lista. Ne kemi reaguar në këtë formë se më të vërtetë ka ardhur koha që kjo lojë duhet të stopohet”, ka thënë veterani, Naser Ramadani.

Publikimi i këtyre dy listave, njëra me emrat e luftëtarëve të vërtetë dhe tjetra me emrat e “falsifikatorëve” të luftës, siç duket lë me kuptuar se kësao raste ka shumë pothujase në të gjitha zonat e luftës.

Edhe veterani, Naser Ramadani, nuk e përjashton mundësinë se këso padrejtësisht ka në tërë Kosovën, por fokusi i tyre siç tha ka qenë për ZO e Nerodimes, veteranët e të cilës zonë i njohin mirë.

“Kemi organizuar edhe një peticion të nënshkruar nga 200 bashkëfshatarët tanë, të cilëti njohin edhe veteranët e vërtetë edhe ata të cilët nuk kanë qenë dhe nuk kanë pasur asnjë lidhje me luftën. Kërkoj nga këta që nuk kanë qenë pjesë e luftës që të tërhiqen së bashku me aplikacionet se nuk bëhet fjalë për një organizatë punuese ku ka të drejtë gjithsecili me konkurrue apo parti politike që i rehaton militant e saj. Ky është një statut që fitohet me kontribut, që nuk falet e as nuk shitet për asnjë çmim”, ka thënë Ramadani.

Në anën tjetër edhe Shemsi Bajrami, ka bërë të ditur se kjo listë e përberë prej 17 vetave nuk ka qenë kurrë në luftë dhe sipas tij nëse ndonjëri prej tyre vetëm një ditë nëse ka qenë në luftë atëherë do të ishin pajtuar për të qenë pjesë e listës.

“Padrejtësisht kanë hyrë në listat e veteraneve pa kurrfarë kontributi. Të merituarit të gjithë janë në listë por këta që nuk janë duhet të hiqen”, ka thënë Bajrami.

Ndryshe, ky reagim i këtyre dy luftëtarëve të UÇK-së vije në kohën kur zërat për rishikimin e listave gjithnjë janë në rritje. /Kosovapress/

Exit mobile version