Vetëm një ditë para mbrëmjes gala të ndarjes së cmimeve “Arritja e vitit Milingona e Artë 2014”, prezantojmë është dy kategoritë e fundit, ato të muzikës pop dhe muzikës serioze.
Të nominuarit në kategorinë Arritja e vitit në muzikë për këtë vit janë: Elita 5, Leonora Poloska dhe Kanita, Krenar Ismaili, Visar Rexhepi dhe Tuna.
Për Leonorën baladat janë stili i saj më i preferuar i të kënduarit pasi aty ndjehet më e sigurtë dhe vetvetja, ndërsa sa i përket mungesës së saj prej një kohe në skenën e muzikës zbavitëse ajo shprehet: “Nuk do të thotë që nuk këndoj nëpër media dhe nuk jam e involvuar, thjesht këndoj në momentin që e ndjej se duhet të këndoj, nëse ekziston ndonjë barometër që duhet ndjekur (skemë) te unë nuk funksionon.”- ka deklaruara Leonora Poloska për Milingonën.
“Eksperimentimi” i tij me muzikën rok dhe violinën ka ardhur krejt spontanisht por që ka qenë mjaft i pëlqyer nga publiku, ndërkaq veten nuk preferon ta etiketoj vetëm si roker, pasi preferon të luaj më shumë zhanre të muzikës.
“Kombinimi rock me violinë ka ardhur mbase spontanisht, pasi që unë studioja për violinë dhe luaja pak a shumë vetëm muzikë klasike deri sa ju bashkangjita bendit Blla Blla Blla…!Pastaj aty filloj “eksperimentimi” im me violinën edhe në zhanre tjera të muzikës, një prej tyre edhe rock-u.”
“Nuk dua ta etiketoj veten si roker pasi që unë i dua dhe i performoj edhe shumë zhanre të tjera,e pastaj arsyeja pse mora pjese në The Voice ishte thjeshtë arsye për ta sfiduar vetveten,pasi që unë si violinist kisha performuar shumë më shumë dhe në skena më të mëdha, por si këngëtar jo fortë dhe e pashë si një mundësi të mirë për ta testuar vetë,pasi që artistet jetojnë për këto sfida, artistet ushqehen me sfidat dhe pas çdo përfundimi të një sfide,ne zakonisht nuk dimë t’i gëzohemi po veçse më mendojmë për sfidën e rradhës.”- U shpreh Krenar Ismaili për Milingonën.
Viti 2014 ishte një vit mjaft i suksesshëm për ty si këngëtar, duke marrë pjesë nëpër festivale dhe duke fituar edhe çmime, a janë realizuar pritshmëritë e tua në sferën e muzikës?
“Mund të them se po, pasi që viti 2014 ka qenë me shumë pjesëmarrje të rëndësishme për mua, ndërsa kurorëzim i gjithë kësaj ishte çmimi i parë që fitova në festivalin e Ohrit, duke marrë çmimin e parë në konkurrencën e interpretuesve ndërkombëtarë. Ky titull i fituar ka bërë që unë tani këtë vit të jem shqiptari i vetëm që do të marr pjesë në festivalin “Sunçane skale” në Mal të Zi, e që do të konkurrojë me një këngë të re.”
Këtyre ditëve jeni duke punuar në një këngë të re, bëhet fjalë për një bashkëpunim, na thoni diçka më shumë rreth saj?
“Fillimisht të them se tani më jemi në përfundim të videoklipit të ri të kësaj kënge, që po e bëj në duet me Vjollca Lukaj. Ideja ka qenë që të kem duete me këngëtarë nga të gjitha trevat shqiptare, e fillova me Kosovën në duet me Adelina Thaçi, pastaj në Shqipëri me Gerta Heta, në Maqedoni me Miranda Hashani dhe tani me Vjollca Lukaj, e cila edhe pse është shkodrane, por është nuse ulqinake. Mendoj se do të jetë një këngë që do të pranohet shumë mirë nga fansat e që do të dëgjohet gjatë sikurse edhe projektet tjera që kam pas.” –tha Visar Rexhepi për Milingonën.
Të nominuarit në kategorinë Arritja e vitit në artet e performuara-Muzikë Serioze për këtë vit janë: Fatos Lumani, Shkëlzen Baftiari, Sihana Badivuku dhe Jeton Pustina.
Çfarë procesi kalon një kompozitor deri sa shkruan një vepër?
Është një proces mjaft I lodhshëm dhe do kohë,inspirim,mund etj. Sidoqoftë pika vendimtare në të gjitha këto elemente është kur duhet të motivohem mjaftueshëm ,kur vendos që ta marr hapin e të ulem që të kompozoj muzike, pas atij momenti gjithçka tjetër kalon në diçka sekondare… përveç muzikës.
Ku e gjeni frymëzimin kur muzika klasike megjithatë nuk është edhe aq në fokus?
Të shkruash muzike serioze është thirrje e brendshme,nuk ka të bëjë me fokusin, ka të bëje me nevojën për tu shprehur..
Jeni i vlerësuar edhe jashtë Maqedonisë, si u bën kjo të ndjeheni?
Ndjehem mirë sa herë që vepra merr kritikë të mirë jashtë ose brenda vendit. Sido që të jetë vlerësuesi I i vetëm i cili ka rendësi për mua jam unë, nëse unë nuk jam i kënaqur me veprën që kam shkruar,ose kam mundur të gjej mënyrë më të mirë në modelimin e tingujve, kuptohet nuk ndjehem mirë dhe e kundërta , nëse një vepër ka arritur të përmbushë shijet e mija estetike unë ndjehem i plotësuar shpirtërisht….
Gjithçka duket e lehtë në skenë, por si është në fakt?
“Është ashtu si duket. Të përballesh me skenën dhe publikun nga këndvështrimi im duke pasur parasysh se jam shfaqur qysh si fëmija, është bërë një nga vendet më komode sepse pikërisht aty me profesionin që kam, e konsideroj si vend kyç për ta dhuruar atë energji pozitive të muzikës që interpretoj tek publiku dhe sigurisht kur publiku e ndjen atë energji tek un reflekton me ndjenjën e rehatisë.”-ka deklaruar Shkëlzen Baftiari për Milingonën.
Kur jeni në skenë dhe dirigjoni arrini t’i dëgjoni të gjithë?
“Kur jam në skenë mundohem që t’i dëgjoj të gjitha instrumentet por edhe solistin në qoftë se vepra(kënga) është edhe me këndim. Çdo instrument e ka rendësin e vet dhe harmonizimi i tyre nëpërmjet tingujve bën që vepra të arrijë sa më mirë tek dëgjuesi në sallë. Përveç se duhet të “kontrollohet situata” me instrumentistët në të njëjtën kohë duhet të jem i kujdesshëm me mbajtjen e tempos që kërkohet por edhe dinamikes së veprave.”
Thuajse gjithë suksesi në skenë varet nga dirigjenti, por pse?
“Nuk do kisha thënë se gjithë suksesi varet prej dirigjentit. Dirigjenti është pika kryesore e organizimit dhe mbarëvajtjes së punës në orkestër por për mua instrumentistet dhe solistet se bashku me
dirigjentin e bëjnë suksesin. Kjo është pune ekipore dhe shumë gjëra varen prej njëri tjetrit.”-deklaroi dirigjenti Jeton Pustina për Milingonën.
Sa punë ju duhet të bëni gati një koncert?
Kur janë veprat që i kemi luajtur më herët dhe që i kemi në repertor”në gishta” atëherë 1-2 javë punë çdo ditore dhe studim për ta mbajt “kondicionin psiko-fizik në skenë”;kur kemi të bëjmë me vepra të reja që nuk i kemi studiuar asnjëherë atëherë na nevojitet më tepër kohë, 1 apo 3 muaj e më tepër varësisht nga vështirësia teknike dhe artistike e veprës që duhet ta ekzekutojmë.
I përkisni një brezi më me përvojë, a mendoni se ka një interes më të shtuar ndaj muzikës klasike?
Specifika dhe formimi i një instrumentisti të ri në muzikë klasike respektivisht instrumentist skenik kërkon studim dhe përkushtim minimum 20 vjeçar në shkollat profesionale muzikore krahas shkollave të obliguara fillore etj. Andaj edhe zhvillimi cilësor në këtë profesion zgjatë me decenie dhe nuk lindin instrumentistë” brenda natës” por ata ndërtohen me punë dhe përkushtim studioz shumëvjeçar.
Lirisht mund të themi se pikërisht në momentin e duhur nga kuadrot e USHT po krijohen instrumentistë të rinj të muzikës klasike dhe duhet seriozisht të mendojmë të formohen orkestra kamertale dhe simfonike shqiptare në Maqedoni me kuadrot dhe gjeneratat e reja tashmë të krijuara nën ombrellën e qytetit të Shkupit,Tetovës dhe Ministrisë së kulturës.
Interesimi për studim të muzikës klasike rritet dita më ditë në Maqedoni tek gjeneratat e reja shqiptare dhe ky është një hap shumë pozitiv .