Site icon PORTALB

Rama: Politikej e kriminelë sulmojnë qeverinë

Edi Rama

Edi Rama

Një ditë pas deklaratave tronditëse për politikën shqiptare të deputetit Tom Doshi ka reaguar Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në Facebook, ku analizon qëndrimin e kreut të demokratëve Basha për këtë çështje.

“Mediat duan sa më shumë akuza për të jetuar, PD sa më shumë shpifje për të mbijetuar, ndërsa njerëzit e ndershëm të këtij vendi të mbajtur kaq vjet peng në gjithë llumin e akuzave dhe shpifjeve të kthyera rëndom në telenovela, duan vetëm të vërtetën. Dhe të vërtetën që ata duan sot, mund ta thotë vetëm një hetim i plotë i organeve të drejtësisë”, nis shkrimi i Ramës.

Deklarimet e Tom Doshit, Kryeministri i etiketon si telenovela.

“Jam i bindur se telenovela e shëmtuar që ka nisur dje, duke bërë bashkë për të sulmuar qeverinë dhe shumicën parlamentare, një tufë politikejsh e kriminelësh që duan të përfitojnë prej dritëshkurtësisë së njëri-tjetrit, do të ketë padyshim një fund të palumtur për ta”, shton Kryeministri.

Por çfarë do të ndodhë më pas?

“Le të presim me durim hetimin e plotë të akuzës bombastike, e cila është padyshim e shpifur sa s’ka, por edhe shumë e mirëseardhur, sepse ka çelur një fazë të re të betejës për çlirimin e opinionit publik nga makthi i vjetër se politikanët janë të gjithë njësoj. Njësoj në fakt janë vetëm ata që nuk dinë ku është kufiri mes politikës dhe krimit”, shkruan Rama.

Këtë koment Rama e mbyll me sloganin tashmë të zakonshëm prej tij kur komenton për opozitën: “Vajmedet PD ku je katandisur, se të tjerët aq dinë, aq bëjnë! Çfarë tufe…!”. / Top Channel

Exit mobile version