Një prej kategorive më të bukura në manifestimin “Milingona e Artë 2014” është ajo e talenteve të vitit. Përzgjidhen të rinj të cilët me talentin e tyre kanë lënë shenjë gjatë vitit që shkoi duke fituar çmime nëpër gara të ndryshme secili në sportin e vet. Të nominuarit e këtij viti në kategorinë “Talenti i Vitit” janë: Anesa Hajdari-atlete, Abdurahim Idrizi-karateist, Jasir Asani-futbollist dhe Arbina Jaji-teniste.
Je vetëm 13 vjeç dhe ke arritur suksese në shumë gara, sa te lumturon ky fakt?“ –Që prej se kam filluar të ushtroj e deri më tani jam munduar që në çdo paraqitje ti përmirësoj ose t’i tejkaloj rezultatet e mia që i bëja më parë, dhe këtë pothuajse në çdo paraqitje kam arritur ta realizoj me shumë sukses. Ky fakt, është pra një prej elementeve kyçe që më lumturon dhe më jep motiv të vazhdoj edhe në të ardhmen po me të njëjtën tempo. Gjatë këtyre dy viteve momenti që më ka dhënë lumturi është atëherë kur vendosa rekord republikan për pionere në disiplinën 400metra me pengesa, vërtet pas kësaj e ndjeja veten më të fuqishme për t’iu vërsulur edhe dy rekordeve tjera në kategorinë e pionereve në disciplinat 400m dhe 800m. Për ta arritur këtë, tani e tutje duhet tu përkushtohem edhe më shumë stërvitjeve, brenda javës i realizoj mbi 7 stërvitje, dhe çdo ditë stërvitja zgjatë nga 1 orë e gjysë deri në 2 orë.”-ka deklaruar për Milingonën atletja e re Anesa Hajdari.
Deri tani ke grumbulluar shumë çmime, cila është disiplina jote e preferuar? – Deri tani për 5 vjet kam marrë pjesë në 51 aktivitete në disiplinat kata (luftë me kundërshtarë të imagjinuar) dhe kumite (luftë reale) dhe kam grumbulluar 98 medalje, prej tyre 72 ari, 13 argjend dhe 13 bronz, dhe 7 herë i zgjedhur si më i miri në aktivitet, dy herë talent i vitit në përzgjedhjen e sportistit që u mbante në Tetovë. Unë paralelisht ushtroj edhe kata edhe kumite dhe për momentin jam i vetmi shqiptare në trojet tona që kam medalje në kampionate zyrtare nga kampionati Ballkanik në kata. Përndryshe kampion i Maqedonisë i pesëfisht dhe kampion ballkanik i 2 fisht në WKF (world karate federation) dhe kampion botëror në kumite në versionin WSKU (world shotikan karate union) niveli i IV të aktiviteteve botërore. Kush është idhulli yt? Dua një ditë të bëhem si karateisti shqiptar Enver Idrizi dhe Afrim Latifi, kurse në arenat botërore tash më së shumti më pëlqen karateisti me famë botërore nga Azerbajxhani Rafael Agaev.
Llogaritesh futbollisti më i mirë i ri në Maqedoni, si të bën kjo të ndjehesh? – Ndjehem mirë kur dikush të vlerëson si lojtar më i mirë por edhe më obligon që të punoj vazhdimisht dhe të mos ndalem në objektivin tim që një ditë të luaj në klub të madh evropian.
Kush e zbuloi talentin tënd për futboll? – Për zbulimin e talentit tim kanë merita shumë trajnerë, kështu që nuk do të kisha mundur të veçoj asnjërin prej tyre, gjithashtu edhe familja ime. Falenderoj zotin që më ka dhënë talentin për futboll dhe shpresoj se me ndihmën e tij të arrij edhe më shumë. Cili është futbollisti yt i preferuar? – Lojtari im më i preferuar është sulmuesi Brazilian që luan te Barcelona, Neymar. Për cilin klub dëshiron të luash? – Kam dëshirë që një ditë të luaj në Premier Ligë, te skuadra e Arsenalit.
A të përkrah shoqëria jote kur ke gara? – Absolutisht po. Së pari e gjithë familja, farefisi dhe shoqëria ime. Gjithashtu kam përkrahje morale edhe nga arsimtaret e shkollës, sepse ndonjëherë nuk jam ne gjendje të shkoj në shkollë për arsye të turneve dhe lojërave që duhet t’i luaj. Si cila tenisere e njohur botërore dëshiron të bëhesh? Ylli im qysh kur kam filluar të luaj tenis është Maria Sharapova. Më pëlqen stili i saj i lojës, veçanërisht sulmi agresiv me gjuajtjet në forehand edhe personalisht shumë elemente dhe teknika të lojës së saj, unë sot edhe i praktikoj.