I madh ka qenë numri i institucioneve të cilat gjatë vitit të kaluar punuan dhe patën ndikim tek publiku, por është bërë një përzgjedhje më e ngushtë e 5 institucioneve kandidatë për çmimin Arritja e Vitit në Afirmimin e Kulturës në manifestimin “Milingona e Artë 2014”, të cilat më së shumti bënë bujë me aktivitetet e tyre për promovimin e vlerave shqiptare në Maqedoni.
Të nominuarit në kategorinë Arritja e vitit në Afirmimin e Kulturës (Institucionet) për këtë vit janë : Drama Shqipe-Kumanovë, Teatri Shqiptar Shkup, Shtëpia e Kulturës “Koço Racin”, Qendra “Loja”, Galeria “Kult”, Gostivar.
Për të gjitha këto arritje gjatë vitit të kaluar ndjehet krenare e tërë trupa teatrore e Dramës shqipe-Kumanovë, ndërkaq në pyetjen se çfarë planesh ndërmarrin për edukimin e publikut sidomos atij të ri, Përgjegjësi i Dramës Shqipe-Kumanovë, aktori Enver Halimi shprehet: “Ne si Teatër kemi publik pa dallim moshe dhe për atë arsye bëjmë përzgjedhjen e teksteve që dëshirojmë t’i realizojmë në Teatër. Ne e kemi obligim moral që të realizojmë nga një shfaqe enkas për fëmijë pasi që ata janë ardhmëria jonë.”
Keni realizuar një varg të madh aktivitetesh vitin e kaluar, për çfarë ka ngjallur më shumë interes publiku, çfarë ka ndryshuar në krahasim me vitet tjera?
“Ndryshimi është i natyrës cilësore – pra kualiteti por edhe efekti që ka pasur. LOJA beson se vetëm duke ndërvepruar me kulturat e huaja ne do ta njohim kulturën tonë. Ne jemi një komb që ndjehet i sigurt në identitetin e vet prandaj hapja ndaj kulturave tjera, mobiliteti dhe shkëmbimet me kulturat tjera janë ato për të cilat besojmë se ka nevoja. Të paktën eksperienca jonë disa vjeçare e ka dëshmuar këtë. Të kuptohemi, respektimi i traditës dhe ndjekja e asaj që është trend botëror nuk e përjashtojnë njëra – tjetrën, përkundrazi e ndihmojnë. Këtë edhe provon ta jetësoj LOJA.”- shprehet për Milingonën drejtori i Qendrës Loja, Bujar Luma.
A synoni më shumë publik apo më shumë cilësi në shfaqjet që përzgjidhni?
“Synojmë të dy elementet së bashku. Cilësia e shfaqjeve nuk ka qenë determinuese për uljen e “prezencës” së teatrit apo uljen e numrin të shikuesve. Teatri Shqiptar në vazhdimësi ka prodhuar shfaqje cilësore, por dukuria globale e rënies së interesit për teatër ka qenë më e theksuar te ne për shkak të dy elementeve që në mënyrë të ndërthurrur kanë ndikuar në njëri-tjetrin: (mos)komunikimi me publikun (pjesërisht) dhe (pjesërisht) repertoari jo i rregullt. Prioritet gjithmonë ka pasur dhe vazhdon të ketë cilësia. Në vitet e fundit gjatë përzgjedhjes së teksteve synojmë një target më të gjërë të audiencës, andaj dhe është shtuar numri i komedive në produkcionin tonë. “-ka deklaruar Anita Latifi-përgjegjëse për marrëdhënie me opinionin në Teatrin Shqiptar Shkup.
Nga intervista kemi kuptuar se Teatri Shqiptar gjatë këtij viti do të realizojë 5 premiera prej të cilave 3 autonome, 1 në koprodukcion me Teatrin Turk dhe 1 në koprodukcion me Teatrin Popullor të Maqedonisë.
Maqedonia është një vend shumë kulturor, po a bëhet sa duhet që kulturat të njihen më shumë mes vete?
“Secili institucion apo person fizik duhet të marrë përgjegjësin mbi supet e veta. Ne kemi realizuar projekte të ndryshme multikulturore pothuajse për të gjithë nacionalitetet duke përfshirë edhe nxënësit e shkollave fillore e të mesme. Këto projekte kanë qenë nga sfera të ndryshme p.sh. ligjëratë e përbashkët me nxënës maqedonas, shqiptar turk dhe rom, ekspozitë e përbashkët (grupore) artist të nacionaliteteve të ndryshme, tribuna me tema të ndryshme, dramë nga nxënës të nacionaliteteve të ndryshme të përgatitura më regjisor adekuat, festivale folklorike e ndërkombëtare. Në disa raste nacionalitetet tjera përveç atyre maqedonas dhe shqiptar kanë pasur rastin të shfaqin projektet e tyre në programe speciale për ato. Mendoj se në këtë drejtim mjaft kemi arritur që të njohim kulturat e njëri tjetrit.”-ka deklaruar për Milingonën-Drejtori I Shtëpisë së kulturës “Koço Racin”- Safet Kamberi.
“Gostivari njihet për nga organizimet e jetës artistike, sepse graviton një numër I madh artistësh dhe kemi shoqatën e artistëve figurativ Draudacum . Në vitet 90-ta kemi filluar të ekspozojmë nëpër lokalet e qytetit, pastaj rregulluam edhe galerinë e Qendrës për Kulture me të cilën po ashtu kam marrëdhënie te mira të bashkëpunimit. Dhe kështu mu dha mundësia të bëj galerinë time private. Në ekip kam artistë profesionistë, piktorë, dizenjues dhe fotografë të njohur dhe të dëshmuar, të cilët më ndihmojnë në realizimin e ekspozitave. Përndryshe, një njeri -një galeri është e pamundur të funksionoj.”- shprehet drejtori I Galerisë Kult-Osman Demiri.