Kancelarja gjermane, Angela Merkel gjatë një vizite në Vatikan ka biseduar sot me Papa Françeskun për përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainën lindore.
Merkel, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në negocijimin e marrëveshjes së fundit për armëpushim, si dhe Papa Françesku, sipas një komunikate të lëshuar, kanë diskutuar për nevojën e rritjes së angazhimit për zgjidhje paqësore të konfliktit.
Papa dhe Merkel kanë diskutuar gjithashtu edhe për varfërinë, të drejtat e grave, problemet shëndetësore dhe mjedisin, tema këto të cilat janë pjesë e rendit të ditës në takimin e G7 që pritet të mbahet këtë qershor në Gjermani.
Takimi i sotëm ishte i treti në mes të Merkel dhe Papa Françeskut.