Shkëndija kthehet në Tetovë
Të hënën Shkëndija i ka dhënë fund qëndrimit 20 ditorë në Antalia të Turqisë, ku u zhvillua faza e dytë dhe kryesore e përgatitjeve dimërore. Futbollistët në kushte shumë të mira kanë punuar maksimalisht në ngritjen paralele të nivelit të forcës fizike dhe lojës, ndërsa përmes 6 takimeve kontrolluese skuadra ka kërkuar formën optimale. Shkëndija shënoi 4 fitore dhe dy disfata, me një gol diferencë prej 13 golave të pranuar dhe 7 të pranuar. Testi i parë ishte kundër kampionit të Turkmenistanit, Altyn Asyr, në të cilin Shkëndija fitoi 3:0, ndërsa do të pasonte disfata 0:1 nga Pesci i Hungarisë në testin e dytë të zjvilluar në kushte të vështira për lojë. Ekipi rrigjeti rrugën e fitores pasi mundi 2:1 Kolkhetin e Gjeorgjisë, deklasoi 5:0 FC Qaradag nga Azerbejxhani, ndërsa në testin e parafundit erdhi fitorja 1:0 përballë ekipit të fortë të Metalurg Zaprozhjes nga Ukraina.
Seria e ndeshjeve kontrolluese u mbyll të dielën me disfatën 5:2 nga Shakhtyor Soligorsk nga Bjellorusia. Përkundër disfayës bindëse vlen të ceket se ‘kuqezinjtë’ zhvilluan pjesë të parë shumë të mirë në të cilën kishin epërsi 2:0, humbën disa raste për të thelluar avantazhin, ndërsa kundërshtari solli përmbysje pas gabimeve në vijën e fundit dhe portierit.
Gëzon fakti që përforcimi më i madh i merkatos, Mohammadou Idrissou ngadalë hyn në formën e duhur dhe është në seri prej tre ndeshjeve të njëpasnjëshme në të cilat arrin të shënojë gol. Gjithsesi, përshtypjet nga këto përgatitje janë pozitive dhe pas kthimit në Tetovë do të kërkohet që deri në start të gjysmësezonit pranveror ekipi të minimizojë paraqitjet negative në lojë dhe të pres i gatshëm sfidën e parë me Teteksin.
Dje në mëngjes ekipi zhvilloi seancën e fundit stërvitore në Antalia, ndërsa pasdite ekspedita u nis drejt Tetovës. Futbollistët do të kenë dy ditë të lira, ndërsa nga e ejntja vazhdojnë stërvitjet në ‘shtëpi’ në pritje të takimit të parë zyrtar në vitin 2015.