Nga Jerusalemi ku ai ishte për të marrë një çmim të rëndësishëm ndërkombëtar, shkrimtari Ismail Kadare ka dhënë një intervistë të gjatë për emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, e cila do të transmetohet sonte.
Aty përpos shumë temave të tjera, Kadare prek edhe eksodin e madh të shqiptarëve të Kosovës, pas të cilit shkrimtari sheh një histori të kurdisur që duhet hetuar.
Ja seç thotë ai për gazetaren Xhunga: Sigurisht nuk bëhet asgjë pa shqiptarët, sigurisht janë ata që e nxisin këtë propagandë që ndodh. Kush shkon shtëpi më shtëpi çdo natë që u thotë ikni, nisuni, se ju ndihmojmë ne? Ç’janë këto agjenci që mbushin autobus;? Nuk e di ky shtet se çfarë po ndodh. Nuk e marrë dot me mend. Duhet të rrinte pa gjumë administrata e Kosovës nga kjo gjë, ata që quhen barinjtë e Kosovës, udhëheqësit e Kosovës.
Në pyetjen nëse ai e gjen Shqipërinë në këtë “aktivitet”, ai përgjigjet: Sigurisht edhe Shqipëria ka përgjegjësinë e saj, për çdo gjë që ndodh me shqiptarët, brenda saj por edhe jashtë saj. Duhet ta ketë të qartë, duhet të ndikojë. Për shembull, tani jemi në Jerusalem, ky qytet i vogël, që merret me tërë botën, që preokupohet, nuk e zë gjumi, nuk e zë gjumi për hebrenjtë në të gjithë botën. Pse neve duhet të mbyllim sytë, siç po ndodh? /lapsi.al/