Site icon PORTALB

Gjermania: Zero mundësi kompensimi ndaj grekëve për LIIB

Alexis Tsipras

Alexis Tsipras

Gjermania ka reaguar sërish gjatë së hënës, duke thënë se ekzistojnë “zero” mundësi, që Berlini zyrtar t’i paguajë shpërblimet për Luftën e Dytë Botërore Athinës, pas kërkesës së ribërë nga kryeministri i ri i radikalëve të majtë, Alexis Tsipras.

Tsipras, në fjalimin e parë madhor përpara Kuvendit gjatë së dielës, bëri të ditur planet për të shpërbërë programin e masave shtrënguese të Greqisë, përjashtoi çdo mundësi të një shtyrje të programit ndërkombëtar të shpëtimit prej 240 miliardë eurosh, si dhe u angazhua se do të kërkonte shpërblimin e luftës nga Berlini.

Kërkesa për kompensim, e risjellë në jetë nga një qeveri e kaluar greke në vitin 2013 por që nuk u ndoq më tej, u refuzua menjëherë nga Sigmar Gabriel, zëvendëskancelari i Gjermanisë dhe ministër i Ekonomisë.

“Probabiliteti është zero”, tha Gabriel, kur u pyet nëse Gjermania do të bënte një pagesë të tillë ndaj Greqisë, duke shtuar se traktati i nënshkruar 25 vjet më parë i dha fund të tilla pretendimeve.

Gjermania dhe Greqia ndajnë bashkë një histori komplekse, e cila ka komplikuar edhe debatin e borxheve. Greqia ishte pushtuar nga trupat gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, një çështje që ka dalë sërish në sipërfaqe, që kur Athina u detyrua të ndërmerrte reforma shtrënguese në këmbim të kësteve të shpëtimit, pjesërisht të financuara nga partnerët e eurozonës por dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Shumë grekë kanë fajësuar superfuqinë e eurozonës, Gjermaninë, për shtrëngimet financiare, gjë që ka çuar në një rigjallërim të pretendimit të fjetur kundër Berlinit për miliarda euro shpërblime nga lufta.

Si pjesë e një apeli më të gjerë ndaj Europës për solidaritet, ministri i ri i Financave të Greqisë ka sugjeruar një paralele mes vendit të tij dhe rritjes së nazizmit në Gjermaninë e falimentuar të viteve ’30, duke pasur për referim këtu partinë e ekstremit të djathtë në Greqi, Agimin e Artë.

Gabriel iu referua “Traktatit të Zgjidhjes Përfundimtare në lidhje me Gjermaninë”, i njohur ndryshe edhe si “Traktati 2+4” i nënshkruar në shtator të vitit 1990 mes ish-Gjermanive Perëndimore dhe Lindore si dhe 4 aleatëve të Luftës së Dytë Botërore, pikërisht përpara ribashkimit të Gjermanisë me rënien e Murit të Berlinit. / Top Channel

Exit mobile version