Site icon PORTALB

Vetëm në Hungari, 24 mijë emigrantë kosovarë: Duan të kthehen në Kosovë!

Autoritetet hungareze vazhdojnë të përballen me valë të pabesueshme të hyrjes së kosovarëve në territorin e vet, më shumë sesa me sirianët në luftë.

Zyra e Emigracionit e Ministrisë së Brendshme hungareze, i ka konfirmuar KTV-së se vetëm deri më 25 janar, në Hungari janë regjistruar gjashtë kosovarë. Kjo e çon numrin e azilkërkuesve kosovarë brenda tre muajve në 24 mijë.

Pasi mbahen deri në dy ditë në qytetin më të afërt Seged, kosovarët dërgohen në Budapest, ku u tregohet se në cilin kamp duhet të shkojnë. Disa kanë përfunduar në Kiskunhalas, e të tjerë në Debrecen.

KTV-ja ka folur me kosovarë në të dyja kampet – njëri i mbyllur e tjetri i hapur. Ata kanë folur për kushtet e rënda dhe ushqimin e keq dhe dëshirën e tyre që sa më parë të kthehen në Kosovë.

KTV-ja ka parë edhe familje e të rinj që bredhin gjithë natën nëpër Budapest pa ditur se çfarë të bëjnë. Disa megjithatë përfundojnë në Gjermani. Në Karlsruhe, fillimisht, ku kalojnë pak kohë, e më pas shpërndahen kudo.

Shumë emigrantë kohët e fundit ka në Berlin. KTV-ja ka arritur të hynte brenda një strehimoreje ku jetojnë dhjetëra kosovarë dhe ka parë nga afër kushtet në të cilat jetojnë ata. Shumica thonë se as Gjermania nuk është si e kishin menduar dhe mezi presin ta kenë mundësinë të kthehen në shtëpitë e tyre në Kosovë.

Në Francë shumica që flinin jashtë janë strehuar, por probleme kohë pas kohe ka në Mulhouse, në kufi më Zvicrën, transmeton Koha.net.

Exit mobile version