Site icon PORTALB

Situatë emergjente edhe në Greqi nga reshjet

Situatë emergjente edhe në Greqi nga reshjet

Situatë emergjente edhe në Greqi nga reshjet

Athina është mbuluar prej pluhurit afrikan, çka e ka bërë atmosferën në kryeqytetin e vendit të padurueshme. Shikueshmëria është e kufizuar, ndërsa gjatë orëve të mesditës Mbrojtja Cilvile paralajmëroi personat me probleme në frymëmarrje të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Retë e pluhurit afrikan që vijnë nga shkretëtira e Saharasë kanë mbuluar pothuajse gjithë pjesën jugore të Greqisë: Kretën dhe ishujt e Egjeut.

Era e fortë me drejtim nga jugu, përveç sasisë së madhe të pluhurit ka krijuar edhe mjaft probleme në lëvizjen e trageteve dhe anijeve në gjithë Egjeun.

Probleme janë vënë re edhe në fluturimet e avionëve në disa ishuj të Egjeut, ku janë anuluar disa fluturime.

Në pjesën qendrore dhe veri-perëndimore të vendit, kryesisht në zonën e Epirit, reshjet e shiut kanë krijuar mjaft probleme. Janë regjistruar dëme materiale në shumë fshatra të Epirit. Shkarje dheu janë shënuar në shumë zona malore të Epirit.
Autoritetet janë detyruar të hapin portat e digës Purnara pasi në këtë liqen vërshimet arritën në 1700 metër kub në minutë, nga 500 që është rrjedha normale e saj.

Si rrjedhojë, u evakuuan disa fshatra në zonën e Artës dhe u shënuan përmbytje në zonën perëndimore të Artës dhe Prevezës.

Po në të njëjtën zonë janë dëmtuar edhe disa monumente të kulturës, ku sipas policisë lokale, valët e lumit Arakthos kanë dëmtuar rëndë “Urën e Plakës”. Ky monument kulture është ndërtuar në shekullin e 18 dhe është ndërtuar në kufirin që ndante territoret e Camërisë nga pjesa tjetër e Greqisë. Ajo përdorej dhe si doganë për banorët në dy anët e kufirit që këmbenin prodhimet e tyre.

Situata meterologjike në vend është e rënduar, ndaj dhe kryeministri i vendit mblodhi me urgjencë Shtabin e Emergjencave. Pritet që në zonën e Epirit të dërgohen ndihma dhe mjete të xhenjos për të ndihmuar banorët.

Sipas Institutit Meterologjik të Athinës, kjo situatë do të vazhdojë edhe gjatë 24 orëve të ardhshme e në vazhdim situata pritet të normalizohet./ Top Channel

Exit mobile version