Site icon PORTALB

Pse heshtim?

Faik Krasniqi

Faik Krasniqi

Heshtja është një element shumë i rëndësishëm i retorikës!
Personi i cili heshtë kur dikush bisedon konsiderohet si një dëgjues i vëmendshëm i atij që flet! Disa e shikojnë si një shenjë e të menduarit- koncentruarit të tij!
Kjo dukuri në retorike në shumicën e rasteve është vlerësuar si pozitive!
Ekziston një thënie gjermane :”Nëse folësit do ta dinin se 70 % e asaj që e thonë do të shërbejë si kundërsulm ndaj tyre me siguri do të flisnin më pak”!
Heshtje nuk do të thotë të jesh i qetë dhe të mos thuash asgjë, por do të thotë dëgjim aktiv. Heshtja është pauzë për të menduar dhe jo pauzë e të menduarit.
Kush nuk mund të heshtë në momentet e duhura bën gabim të madh gjuhësorë!
Heshtja është ar! Të flasësh është argjend!
Fjalën e duhur ta thuash në kohën e duhur është diamant i mbështjellur me platinë!
Ai që ka heshtë dhe ka dëgjuar me vëmendje do të jetë folësi më i mirë.
Por heshtja e shqiptarëve më kujton essenë “Indiferentët” të Antonio Gramshit! Sa shumë heshtje ka! Një heshtje vdekjeje e ka mbuluar këtë vend në kohën e çlirimit të gurmazeve me ligj! E habitshme! Na vjedhin, na vrasin, na poshtërojnë, na mashtrojnë, na gënjejnë dhe ne heshtim! Mos jemi gjë sinonime të varreve? Heshtja është virtyt i skllavit thoshte një filozof i antikitetit! Sa aktuale për shqiptarët! Por nuk mund të flas dhe të ngrejë zërin një shoqëri, së cilës i kanë i kanë mbyllur gojën, i kanë blerë dinjitetin në këmbim të një vendi pune apo të një favori, duke tjetërsuar kështu edhe karakterin e secilit prej nesh!

Edhe ky sistem i mbrapshtë patjetër që sjell përçarje dhe polaritet në shoqëri! Sot shumica e shqiptarëve vuajnë akoma për bukë dhe për një vend pune! Prandaj askush nuk guxon të dal kundër këtij sistemi, se në fund ngelet pa vend pune, pa bukë dhe në pamundësi që të mbijetoj në atdheun e vetë, detyrohet që të marrë rrugën e gyrbetit!  Por, kam një pyetje: a ka shërim kjo sëmundje e rëndë e shqiptarëve?

Exit mobile version