Zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës Hashim Thaçi do të qëndrojë të enjten për një vizitë zyrtare në Maqedoni.
Vizita e zotit Thaçi është njoftuar nga deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti, në profilin e saj në Facebook.
Thaçi pritet të ketë takime me krerët më të lartë të shtetit dhe me liderët shqiptarë, njofton “Zhurnal”,
Deputetja Mehmeti thotë se dy vizitat e krerëve të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës, në vetëm dy ditë, paraqesin mesazhe domethënëse për fqinjësinë e mirë, për bashkëpunimin rajonal dhe për realitetin e ri të bashkëpunimit dhe integrimit të fuqishëm ndërshqiptar.
Vizita e Thaçit në Maqedoni pason vizitën e homologut të tij nga Shkupi, Musa Xhaferri, në Prishtinë, vetëm një ditë më herët.