USHT e akreditoi Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë

Sot, në amfiteatrin e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Vullnet Ameti e bëri të ditur lajmin për akreditimin e këtij fakulteti. Në prani të stafit akademik dhe studentëve, Rektori theksoi edhe njëherë angazhimin e tij  dhe të stafit të bashkëpunëtorëve në ngritjen dhe përmirësimin e infrastrukturës së këtij fakulteti, si një kusht i domosdoshëm që do të kontribuojë drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë akademike dhe dijenxënies tek studentët tanë. 

“Sot, është një ditë e rëndësishme për Universitetin Shtetëror të Tetovës, me theks të veçantë për Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë. Është një ditë e shënuar, sepse përmbyllet njëherë e përgjithmonë një nga çështjet ligjore që ka të bëjë me funksionimin dhe veprimtarinë mësimore-shkencore të këtij fakulteti. Prandaj, jemi mbledhur sot këtu që t’i njoftojmë studentët, profesorët dhe  mbarë opinionin se Universiteti ynë, më në fund, e ka akredituar Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë”, deklaroi Rektori Ameti.

Ai, po ashtu para studenteve dhe profesorëve premtoi angazhimin e tij për forcimin e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë.

“Ne si udhëheqësi e Universitetit marrim përsipër që Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, tashmë të akredituar, ta shndërrojmë në një institucion  me standarde evropiane, ku në qendër të vëmendjes do të jenë studentët në rrugën e formimit si mjek të aftë, si në aspektin teorik ashtu edhe në praktikë”, tha mes tjerash Rektori i USHT-së.

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Nasir Bexheti, theksoi se ka qenë një punë e lodhshme dhe e gjatë, por që u finalizua me sukses të plotë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button