Pse më sheh ashtu?
Ah shikimi yt…
Sikur ma tërbon çdo ndjesi, e unë çmendem në qetësi.
Sikur mi përbin mëkatet e vogla, e unë mundohem më kot ti harroj.
Sikur mi zbulon sekretet e vjetra, e unë i fsheh dhe nga vetëvetja.
Sikur në mua kërkon të ndaluarën e ëmbël, e unë kam frikë të ta dhuroj.
Sikur mi lakuriqëson gjithë epshet, e unë i mbuloj me tisin e turpit.
Sikur në mua fshihen kodet e ëndrrave tua, e unë vuaj që nuk jam pjesë e tyre.
Sikur në mua luftojnë e kaluara dhe e ardhmja jote, e unë dua me ty ta jetoj të tashmen.
Sikur nëpërmjet bebzave të mija do t’ma vjedhësh zemrën, e unë më veç ta kam dhuruar.
Sikur ma adhuron çdo qerpik një nga një, e une i hap e mbyll me shpejtësi vetëtime.
Sikur më puth çdo cep të lëkurës, e unë e ndjej ngrohtësinë e buzëve të syve.
Sikur ma admiron lotin që ti e shkakton, e unë kam guxim të qaj për ty.
Sikur ma kafshon buzën, e mua më dhem kjo kënaqësi.
Sikur më zhvesh rrufeshëm, e unë skuqem nga druajtja.
Sikur bën dashuri me vullkanet e mija, e unë digjem në prush e zjarr.
Sikur trembesh nga dashuria ime, e unë kam aq nevoj ta ndaj me ty.
Sikur në mua e sheh tjetrën, e unë vdes çdo orë e çast.
Sikur më sheh për herë të fundit, sepse vërtet po më humb…
“Pse me sheh ashtu?”- të pyes ty.
“Si?” – Më pyet ti.
“Çuditshëm!”- të them dhe hesht…
Lira Bojku 2015