Site icon PORTALB

Nacionalizmi i Gruevskit për emrin prek “thembrën e Akilit”, sa do ndihmoje Brukseli?

Bruksel

Bruksel

Të ngujuar në qorrsokakun e çështjes së pazgjidhur të emrit me Greqinë, Maqedonia nuk mund ta vazhdojë rrugëtimin evropian, gjë që gradualisht e frustron popullatën. 

Pozicionet as pak fleksibile të Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, të verifikuara me përpjekjet e fundit të ndërmjetësit Nimetz për të sjellë një dinamik të re në drejtim të zgjidhjes së kësaj çështje, ka lënë krah hapur qarqet diplomatike evropiane të cilët brengosen për politikat integruese të Maqedonisë. 

Problemi dy dekadash për emrin ka vënë nën presion edhe Brukselin dhe gjithnjë e më shumë po shtron në sipërfaqe ndjenjën e zemërimit të popullatës dhe të përfaqësuesve politik në vend të cilët më herët luanin kartën nacionaliste me çështjen e emrit.

Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike thotë se nuk ka asnjë rezultat edhe pse OKB-ja ka 18 vjet që është ndërmjetësuese në këtë çështje. Trajanov i dërgoi letër komisionarit për zgjerim Stefan Fule duke kërkuar nga ai të ofrojë një ndërmjetës evropian për kontestin e emrit i cili do të përfshihej drejtpërsëdrejti, në bashkëpunim të ngushtë me OKB dhe SHBA, në tejkalimin e këtij kontesti.

Kërkesa e Pavle Trajanovit deri të euro komesari për zgjerim Shtefan Fyle, për angazhimin e një ndërmjetësi evropian si dhe udhëtimi i Fyles në New York për të takuar ndërmjetësin Nimetz, sipas vlerësimeve të përfaqësuesve të partive politike, nuk është vetëm një koincidencë, por edhe një nevojë për angazhimin më të madh të Brukselit përballë politikës populiste të Gruevskit  dhe pozicioneve të ngurtësuara greke.

Veprimi i tillë për Bashkimin Demokratik për Integrim është i mirëseardhur sepse sipas deputetes së kësaj partie Ermira Mehmeti, në parim Bashkimi Demokratik për Integrim, çdoherë ka thënë dhe ka qëndruar pas idesë për inkuadrim dhe angazhim më të madh dhe më proaktiv nga ana e zyrtarëve evropian. Ajo thekson se kjo nismë duhet të konkretizohet me vepra politike, gjithsesi dhe nga VMRO DPMNE.

“Angazhimi plotësues i faktorëve të tjerë nuk do ti zbeh përpjekjet e ndërmjetësit Nimetz, mendoj se do të ishte e mirëseardhur, duke pasur vetëm një qëllim dhe ai është tejkalimi i ngërçit rreth emrit. Qëllimi i Trajanov është i mirë dhe ka për qëllim tejkalimin e kësaj bllokade. Në këtë drejtim mendoj se do të ishte e mirëseardhur çfarëdo veprimi qoftë dhe ndonjë përgjigje konstruktive nga partnerët evropian në lidhje me problemi që tash po shndërrohet në frustrim edhe për qytetarët e vendit” thotë për Portalb, Ermira Mehmeti.

Për liderin e partisë partnere me BDI-në, VRMO DPMNE, kryeministrin Gruevski, secili që ofrohet për të ndihmuar është i mirëseardhur.

“Nuk e di çfarë ka menduar Trajanov, me siguri ai do të shpjegojë para opinionit. Në përgjithësi kemi thënë shumë herë, ka pasur shumë kandidatë që vetë janë ofruar për të zgjidhur kontestin, për të ndihmuar. Shumë burrështetas nga rajoni janë ofruar të kyçen dhe të ndihmojnë dhe përgjigjja jonë është se secili që mund të ndihmojë është i mirëseardhur, nëse ndjejmë se ka qëllim të mirë. Kështu që nuk do të komentoja konkretisht Pavle Trajanovin, ky është komenti im”, tha kryeministri Nikolla Gruevski.

Nga ana tjetër, LSDM thotë që i vetmi fajtor për këtë ngecje është politika populiste e kryeministrit që pas viti 2007 është vënë në spikamë dhe kjo ka përkeqësuar marrëdhëniet me Greqinë.

“Askush nuk mund të na ndihmojë me këtë Qeveri populiste” thanë shkurt për Portalb nga shtabi i LSDM-së opozitare.

Opozita shqiptare Partia Demokratike Shqiptare, thjeshtë ka refuzuar të komentojë iniciativën që vendit pos Ëashingtonit ti ndihmojë edhe Brukseli në zgjidhjen e çështjes së emrit dhe çeljen e rrugës për integrime.  / Portalb

Exit mobile version