Site icon PORTALB

Dosja e kokainës, 5 akuza nipit të Enver Hoxhës, rrezikon 15 vjet burg

Ermal Hoxha dhe Rezarta Shkurta

Ermal Hoxha dhe Rezarta Shkurta

Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxha, i cilësuar si financues i një rrjeti të fuqishëm kokaine nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës, është fotografuar teksa shoqëronte dy kolumbianët, Cesar Avila dhe Walther Moreno, të cilët u prangosën në ish-magazinat e rezervave shtetërore në Xibrakë të Elbasanit, që ishin shndërruar në një laborator të sofistikuar të përpunimit të drogave të forta.

Hetimet mbi grupin kriminal që trafikonte drogë nga Kuba në Shqipëri mandej me destinacion final vendet e Europës, nisën mbi bazën e një informacioni të ardhur nga autoritetet gjermane.

Prokuroria urdhëroi vëzhgimin e të dyshuarve, ku disa prej tyre u përgjuan në një dreke në një lokal në Elbasan, ku flisnin hapur për pazaret e drogës. Mbi Ermal Hoxhën dhe të tjerët rëndojnë të paktën 5 akuza mes të cilave grupi i strukturuar kriminal dhe prodhim lëndësh narkotike i cili kur kryhet në bashkëpunim dënohet deri në 15 vjet burg.

Sinjalizimi nga Gjermania

Në datën 18.12.2014, Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penal nr. 335 për veprën penale të trafikimit të narkotikëve e parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.

Nga aktet e këtij hetimi rezulton se në datën 17.12.2014, ka mbërritur në Prokurorinë për Krime të Rënda një informacion nga ana e autoriteteve gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të një sasie lënde narkotike të dyshuar si kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Si organizatorë të trafikut dyshohej se ishte shtetasi shqiptar, i quajtur Ilir Hyseni.

Nga hetimet rezulton se Ilir Hyseni e ka komunikuar shpesh një person të quajtur Joti (i identifikuar më pas si Kastriot Imeri). Sipas informacioneve të autoriteteve gjermane, Ilir Hyseni komunikonte edhe me një person me emrin Ermal, i cili më pas gjatë hetimit rezultoi të ishte Ermal Hoxha.

Nga hetimi i kryer përmes metodave speciale të hetimit, rezultoi se Ilir Hyseni pas mbërritjes në Shqipëri kishte kontakte me Kastriot Imerin, i cili rezultoi të ishte pronar i një servisi automjetesh, në Kombinat, Tiranë.

Në këtë rezultoi të ndodhej automjeti Mercedes Benz me ngjyrë gri, me targë xxxx, i cili rezultoi se do të modifikohej me qëllim trafikimin e një sasie lënde narkotike pas mbërritjes së korrierit. Në vijim të veprimeve të tij, Ilir Hyseni, përveç kontakteve me Kastriotin, kishte kontakte edhe me Ermal Hoxhën./Gazeta Shqiptare/

Exit mobile version