Site icon PORTALB

Ademi do të formojë komision për skenimin e situatës në arsimin e lartë

Abdilaqim Ademi

Abdilaqim Ademi

Menjëherë pas formimit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, me qëllim të njoftimit me gjendjen reale në arsimin e lartë, me theks të veçantë mbi institucionet private të arsimit, vendosi që të formojë një komision të posaçëm për skenimin e situatës në këtë sferë.

Ky proces, siç kumton Kabineti i ministrit të Arsimit dhe Shkencës, siguroi një pasqyrë më të plotë për arsimin e lartë në përgjithësi dhe në Universitetet private, në veçanti, me qëllim të ndërtimit të politikave që do të kenë mbështetje reale dhe të njëjtat shërbejnë për avancimin e arsimit në vend dhe për të garantuar shërbime dhe profil më cilësor studimor, në përputhje me kërkesat e tregut në vend dhe më gjerë.

Komisioni në fjalë ka përcaktuar treguesit për matjen e cilësisë në Universitete dhe miratoi metodologjinë për skenimin e punës së institucioneve të shkollimit të lartë në RM. Me këtë janë informuar edhe të gjitha Universitetet private në vend. Brenda afatit të përcaktuar nga MASH­i të gjitha universitetet iu përgjigjën kërkesave të Komisionit, duke plotësuar edhe dokumentacionin dhe formularët përkatës për këtë proces.

Informojmë se të gjithë përfaqësuesit e 14institucionet e arsimit të lartë në vend kanë mirëpritur këtë iniciativë të MASH­i për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë në vend, dhe po bashkëpunohet në mënyrë korekte. Pas mbarimit të fazës së parë (kompletimit të të dhënave nga ana e institucioneve private të arsimit të lartë), Komisioni vizitoi të gjitha Institucionet në fjalë dhe në bashkëpunim me ta, tash më është kompletuar i tërë dokumentacioni.

Nga kontrolli i bërë kanë rezultuar edhe parregullsi, si teknike ashtu edhe përmbajtësore, të cilat, si të tilla pritet të tejkalohen së shpejti. Njoftojmë se pas përfundimit të këtij procesi, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, do të takojë të gjithë përfaqësuesit e institucioneve private të shkollimit të lartë dhe do të njoftojë opinionin për gjendjen e konstatuar dhe tejkalimin e vështirësive të evidentuara.

Njëherësh MASH­i ka përpiluar planin vjetor të revizionit të rregullt në Universitetet publike në vend me qëllim të njëjtë – avancimin e procesit arsimor dhe tejkalimin e parregullsive eventuale. MASH vlerëson se kjo është qasja më reale për konstatimin e gjendjes së arsimit të lartë në vend dhe krijimin e politikave reale që, si të tilla do të jenë në funksion të institucioneve të shkollimit të lartë, por edhe të kënaqjes së nevojave të tregut të punës.

Exit mobile version