Site icon PORTALB

USHT dhe Kolegji Universi nga Republika e Kosovës nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim

Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Kolegji Universi në Prishtinë, sot lidhën Marrëveshje bashkëpunimi.

Marrëveshja u firmos nga Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet dhe Rektori i Kolegjit Universi, Dr. Dukagjin Sokoli. Me këtë marrëveshje, dy institucionet kanë rënë dakord të bashkëpunojnë me qëllim të nxitjes së mirëkuptimit të ndërsjellë dhe të zhvillimit në fushën e arsimit, hulumtimit shkencor, shëndetësisë dhe përvojës klinike.

Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti theksoi se me këtë marrëveshje, të dyja palët do të angazhohen për bashkëpunim shkencor, arsimor dhe shëndetësor, si fusha për të cilat kanë rënë dakord. Amendamente të marrëveshjes së bashkëpunimit mund të sugjerohen nga secila palë dhe mund të shtohen në çdo kohë me pajtueshmëri të ndërsjellë.

“Bashkëpunimi mund të përfshijë: Projekte të përbashkëta kërkimore dhe pilot projekte; Këmbimin e përvojave shkencore dhe të personelit mësimdhënës dhe shëndetësor; Organizimin e trajnimeve për zhvillim të vazhdueshëm profesional; Organizimin e seminareve dhe konferencave të përbashkëta, si dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, akademike, shëndetësore, edukative, dhe klinike. Format vijuese të bashkëpunimit kanë parashikuar: Vizita afatshkurtra të anëtarëve të stafit për konsultime, ligjërata dhe planifikime të projekteve; Vizita afatgjata nga stafi teknik dhe hulumtues për trajnime, ose për pjesëmarrje në projekte kërkimore të përbashkëta; Këmbimin e studentëve për aftësimin praktik dhe klinik, si dhe pjesëmarrjen në programet ndërkombëtare; Promovimin e kontakteve me shkencëtarë të shquar nga qendrat e tjera akademike në vendet përkatëse; Promovimin e kontakteve të përbashkëta me shkencëtarët në vende të treta, në mënyrë që të marrim pjesë në projekte të mëdha në shkallë ndërkombëtare; Mbështetje reciproke në planifikimin dhe zbatimin e vizitave në vendet përkatëse”, tha Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Po ashtu, në këtë marrëveshje është paraparë që të dyja institucionet të ofrojnë mbështetje financiare, në përputhje me mundësitë në dispozicion për secilën palë, ose do të kërkojnë mundësi për të siguruar fonde nga burime të tjera kombëtare ose ndërkombëtare.

Nëse lind nevoja, detajet e fondeve për çdo projekt do të diskutohen dhe vendosen nga të dyja palët. Sipas marrëveshjes ky memorandum i bashkëpunimit do të plotësohet me plane më të detajuara të punës (marrëveshje) të përgatitura në mënyrë periodike, siç kërkohet nga projektet aktuale dhe të planifikuara. Në fund të çdo periudhe të planifikimit, rezultatet do të raportohen dhe vlerësohen nga përfaqësuesit e të dyja palëve.

Exit mobile version