Në mes të ditës vazhdojnë kërcënimet dhe grabitjet me armë.
TV A1 Report siguron ekskluzivisht pamje të momentit kur një tregtar i produkteve ushqimore kërcënohet me armë dhe dhunohet me grushta nga një person i pamaskuar dhe që nuk frikësohet nga fakti se është në një ambient publik, në mes të ditës, transmeton Shqiptarja.
Ngjarja është zhvilluar pak ditë më parë në tregun e magazinave në qytetin e Korçës.
Video është sjell në redaksinë e tv A1Report nga një qytetar i Korçës i cili ka arritur të fiksojë momentet e ngjarjes me kamerat e sigurisë së dyqanit të tij. Pamjet tregojnë qartë sesi një burrë i armatosur me pistoletë vjen drejt tregtarit dhe pasi i drejton pistoletën e qëllon me grusht. Policia e Korçës pranon ngjarjen dhe shpjegon se ka qenë një sherr dhe kërcënim për motive personale.
Policia shton se ndaj personit, i identifikuar si Arben Perparim Sadikaj, 44 vjec, banues në lagjen 16 Korcë, ka nisur procedim penal për kanosje dhe prodhim dhe mbajtje pa leje e armeve dhe municioneve luftarake ndaj shtetasit Dh.J, 34 vjec, banues ne fshatin Vashtemi – Korçë.
Nga ana tjetër, qytetari i cili solli në redaksi videon na sinjalizon se pamjet e filmuara kanë të bëjnë me një tentativë grabitjeje. Grabitjet me dhunë e armë janë kthyer në një fenomen shqetësues për qytetarët të cilët ndjehen të pambrojtur, ndërsa uniformat blu janë inegzistente përballë kësaj situate më shumë se sa të frikshme.