Site icon PORTALB

Anoreksia leximore, krizë verore

Sumeja Pajaziti

Sumeja Pajaziti

“Thueja kanges rini, se bota asht e jotja!” një varg nga lirikat e Migjenit, që të bën të mendohesh përgjithnjë, që zbërthehet në mijëra kuptime të tjera të ndryshme… Për rininë, jetën, bukurinë, lumturinë janë thurrur aq shumë poezi e balada që nga Homeri e deri tek Schopenhauri, poezi këto që kanë një ton të bukur krijimtarie për t’u rezistuar. Periudha e rinisë është mjaft me vlerë, në të cilën njeriu fillon të vetëdijësohet dhe të investojë në vetvete. Pas mundit dhe përpjekjeve të rrethit tanimë vjen periudha për t’u bërë i zoti i vetvetes, vjen ai moment briliant ku njeriu me të vërtetë vëren dhe ndjen se tanimë ka shkëputur litarët nga epoka e çilimillëkut, për të hapërruar drejt fushëbetejave të reja, për t’u ballafaquar me suksese e dështime të cilat kontribojnë në krijimin e një uni specifik dhe origjinal, të përbërë nga idi-ego dhe superego, ashtu siç shprehet Frojdi. Tani më hyjnë në përdorim syzat e largpamësisë, me të cilat njeriu gradualisht vëren se sa më shumë që mendon se di, aq më tepër konstaton se nuk di gjë, ngjashëm si konkluzioni mjaft kuptimplotë i Sokratit ”Unë e di se s’di asgjë.”, e në anën tjetër, atij që arrin këtë nivel të të menduarit, vetëm se i janë hapur dyert drejt suksesit, dikotomi kjo mjaft intriguese (di-s’di). E fundja, çështë jeta përpos se grumbuj dikotomish?!

Alexis Carrel, një intelektual bashkëkohor me pikëpamje të veçantë, shprehet: ”Njeriu është vetë skulptori dhe skulptura, që e gdhend vetveten.” Në shekullin 21, epoka e teknologjisë paralel me zhvillimet pozitive, ka tërhequr mbrapa vetes përtacinë, plogështinë, degradimin moral e etik, ka shpërbërë komunikimin ndërmjet njerëzve, me një fjalë këtë herë njeriu me armën e vet godet vetveten, duke kundërshtuar natyrën e vet, e cila anon gjithmonë kah e mira. Në vitet 1950 tek njerëzit ishte fiksuar ideja iluministe se “natyra është armiku kryesor i njeriut e cila mund të mbizotërohet vetëm me mendje e arsye”, kombinim që rezultoi në Big Bangun e teknologjisë. Për një periudhë kaq të shkurtër, dora e njeriut prishi ekulibirin në faqen e dheut, proces ky që është proces antagonist me misionin e tij. Kjo nuk ndodh vetëm në aspektin e shëndetit. Po ta marrim nën thjerrëz anën psiko-sociale të njeriut do të shohim se zhvillimet në teknologji e kanë lëkundur edhe më shumë njeriun e sotshëm që është një “nyje mjaft e ngatërruar”. Sot ai po përjeton një Big Bang social e kulturor, që e nxjerr prej binarëve të njerëzisë dhe e shpie atë në ato të sfilitjes individuale dhe kolektive.

Po të marrim të bëjmë një kontroll specifik mbi anatominë e rendit të ri shoqëror, do të arrijmë edhe ne natyrisht në përfundimin e antropologëve të cilët duke u bazuar në moshën, gjininë, nacionalitetin, gjendjen ekonomike e sociale, njerëzit i karakterizojnë në: klasa e ulët apo “viktimat” që përbëjnë afro 3 miliardë njerëz, pra ½ e popullsisë, “borgjezia” postmoderne dhe “aristokracia”, një pjesë mjaft e vogël e popullsisë, që me një barbarizëm të civilizuar arrin të manipulojë miliona njerëz përreth, shtoja kësaj edhe globalizmin, shihet qartë se bota jonë ka nevojë  për njerëz të ngritur akademikisht, për intelektualë që do të ndryshojnë gjendjen e popullit në planin vendor dhe planetar.

Ndryshimi vjen me vetëdije, nëse jeton në këtë botë pa qenë i vetëdijshëm për ato që ndodhin përreth dhe gjithandej, është sikur vetëm të sodisësh librat në një bibliotekë, pa i prekur fare. Për të qenë i vetëdijshëm duhet të jesh edhe i dijshëm, i ditur. Dituria është fuqi, dituria është forcë. Faktori që asnjëherë nuk do të ndikohet nga koha është mendimi, e ai formohet nga leximi i fenomeneve, fakteve dhe teksteve. Forma më ndikuese e tekstit është libri, mjeti, burimi, furnizuesi primar i njeriut me dituri, shoqëruesi në çdo kohë, në çdo vend, me mbrojtje absolute ndaj efekteve të jashtme. Sot shënohet një distancë në hapje sipër mes njeriut dhe librit, në veçanti mes rinisë dhe librit. Sot rinisti për gjithçka ka kohë por për libër jo. Për paparazzi, telenovela…. Rinia ka nevojë për udhërrëfyes, ka nevojë për një mik besnik, që në çdo moment do e ketë pranë, jo për njerëz të falsifikuar të shndërruar në robër të teknologjisë, për lexues e konsumatorë pemanentë të tekstit, të librit-librave, bibliomanë? I kemi në mesin tonë? Sa janë ata? Ku mbetet rinia jonë në raport me librin? Pse nëpër universitet e huaja, kërkohet një karrike më tepër për t’i ulur në bibliotekë, kurse në vizitën time të paradokohshme një institucioni të arsimit të lartë shqiptar, të merrte tmerri nga ndjenja e vetmisë në shtëpinë universitare të librit? Vërtet po përballemi me një anoreksi të leximit, andaj është koha që të kujdesemi për shëndetin tonë kulturor e arsimor. Mjaft më krenarinë duke e reduktuar në celularë, rroba e makina. Rini, këmbeni mes vete libra se ato ua begatojnë shpirtin, ju shpëtojnë nga krizat e mëdha face to face, por edhe nga inferioriteti kolektiv. S’na duhen diploma na duhen trurë aktivë, koka që mendojnë, rini e profesionalizuar realisht, e pasur kulturalisht. Thoni: Më prit bibliotekë, të kam vatër, shtëpi të dytë. Bëni biblioteka shtëpiake, një kën tuajin. Thyeni stereotipat banale të kohës: “Kush pa parë hajr nga leximi.” As budalla nuk bëheni, siç thonë ca. Ngriteni lart dhe i ngritni edhe të tjerët. Lërini testimet, provimet. S’janë më kritere. Edhe letrat e firmosura e vulosura, ju bëjnë me post, por jo njeri. Jetoni për të iluminuar, jo për t’u turpëruar dhe për të turpëruar. Jetoni për të qenë fanar, kuptohet, me dije dhe reflektime vlerore. Dhe për në fund një pyetje: Cili është libri i fundit që kemi lexuar?

Autorja është studente e mjekësisë në Universitetin Ulludag, Bursa

Exit mobile version